Duke lexuar intervistën e Ismail Qemalit për gazetën e njohur italiane “La Tribuna”, botuar në faqen e parë të martën e 26 qershorit të vitit 1900, nën titullin “Kriza në Turqi”, natyrshëm vijnë disa refleksione për historinë, politikën dhe lidershipin.

Kjo intervistë publikohet për herë të parë në Shqipëri. Ajo është realizuar me gazetarin e njohur italian Sombrero, në Hotel de l’Europe në Romë, ku Ismail Qemali po qëndronte prej dy ditësh.
Ai ishte i ftuar si mik i Italisë ku qëndroi për tre javë, së bashku me tre djemtë e tij. Intervista zhvillohet vetëm pak muaj pas arratisjes së tij nga Kostandinopoja më 1 maj 1900, e cila i dha një hov të ri lëvizjes kombëtare shqiptare. Qëndrimi i tij 6-javor në Athinë ngjalli dyshime dhe xhelozi në Romë. Prandaj, më 16 qershor 1900, ai u nis nga Athina për në Itali, për të zhvilluar disa takime me personalitetet e politikës italiane.

Në këto kohë veprimtaria e Ismail Qemalit ndiqej me shumë kërshëri nga diplomacia evropiane.

Camille Barrère, ambasadori francez në Romë, do ti raportonte nga Roma, më 26 qershor 1900, ministrit të Punëve të Jashtme të Francës z. Deklase, lidhur me intervistën që Ismail Qemali dha për gazetën “La Tribuna”, mbi çështjen e autonomisë së Shqipërisë dhe mbi qëndrimin e Rusisë e të shteteve të tjera rreth problemit shqiptar. Për Ismail Qemalin, marrëveshja austro-turke e 1897, që e ndante gadishullin e Ballkanit në dy sfera ndikimi, i sillte përfitime vetëm Rusisë. Megjithatë, shqiptarët ishin të vendosur për të realizuar qëllimin e tyre, që ishte autonomia”.

Një ndër tiparet e lidershipi të Ismail Qemalit, që shpaloset edhe tek intervista për “La Tribuna” është guximi i tij i spikatur për të mbajtur qëndrimin e duhur ndaj së mirës dhe ndaj së keqes. Sepse siç thoshte Seneka: “Ai që është guximtar – është i lirë”.

Publicisti i famshëm Sombrero e prezanton Ismail Qemalin si “një njeri me ide reformatore dhe si një nga udhëheqësit më autoritar të kombit shqiptar, i cili kishte filluar të vlonte. Sipas Sombreros, tema e Shqipërisë ishte një nga çështjet e ditës. Ismail Qemali përshkruhet si një burrë i pashëm në kulmin e moshës. I gjatë, i bëshëm dhe me fytyrën e nxirë nga dielli, e të rrethuar me një mjekër me qime gri e të bardha. Sytë e tij janë të gjallë e penetrues dhe ai të ngjall menjëherë simpati të sinqertë.

Mu duk sikur nuk ishte hera e parë që po e takoja… – vijon Sombrero.

Ismail Qemal beu është i bindur se marrëveshja austro-ruse e vitit 1897 që e ndau Ballkanin në dy zona influence, është në favor të Rusisë… Ekziston një çështje shqiptare, – thotë Ismail Qemali, – sepse fuqitë evropiane me inkoherencën e tyre të zakonshme, pasi morën një vendim që do të duhej që t’ju jepte kënaqësi aspiratave legjitime të shqiptarëve, nuk u kujdesën që ta zbatonin.

Sa i takon xhonturqve, është një tjetër gabim i Evropës që beson se ekziston në Turqi një parti me këtë emër; parti reformatore, e organizuar seriozisht. Quhen xhonturq të gjithë të pakënaqurit…
Ishte më mirë tek ne para 35 vitesh. Unë atëherë argëtohesha duke bërë gazetarin dhe mund të shprehja lirisht gjithçka që kisha në mendje. Tani është e ndaluar edhe të shqiptosh e të shkruash fjalët “komb” dhe “atdhe”…
Këto që po jua them juve sot, kam pasur gjithmonë kurajën që t’ia them sulltanit. Sovrani im nuk është kurajoz, dhe nuk godet asnjëherë drejtpërdrejt. Një ditë të bukur sulltani më thotë se meqë në Tripoli i duhej një njeri i zgjuar dhe energjik, kishte menduar për mua, si guvernator. Ju përgjigja duke i kërkuar nëse po shkoja për të reformuar apo për të konservuar. Sulltani heshti…”
Gazetari flet edhe për takimin e Ismail Qemalit me ministrin italian të Punëve të Jashtme markezin Emilio Viskonti-Venosta dhe me Françesko Krispin, burrin e madh të shtetit që lavdërohej me origjinën e tij shqiptare. Në mbyllje të intervistës, gazetari Sombrero kujton se Ismail Qemali i shtrëngoi dorën duke i thënë: – “Mbaje mend: Kundër sllavizmit nuk ka digë tjetër të mundshme përveçse lidhjes shqiptaro-greko-turke. Dhe e para që do të përfitoj do të jetë Italia!”.

Qëndrimet dhe shpalosja e ideve të tij për çështjen kombëtare u pritën mjaft mirë nga arbëreshët e Italisë edhe nga gjithë patriotët shqiptarë. “Neve themi me ndërgjegje të plotë”, – shkruante Anselmo Lorekio në një artikull të tij, – “se Ismail Qemal beu nuk duhet të ngatërrohet me agjitatorët e rëndomtë, të cilët vetëm për vetëm marrin përsipër të ngrenë popujt dhe të përmbysin mbretëri e perandori, por që sorollaten nëpër kryeqytetet e Evropës, për të fituar namin që nuk kanë mundësi ta fitojnë. Si shqiptar ai e ruan të paprekur dashurinë për atdheun tonë fatkeq, ashtu siç duhet ta mbajë çdo shqiptar i ndershëm”.

Në çaste të vështira duhet reflektuar duke i hedhur sytë nga historia. Dhe historia na mëson se lidershipi shqiptar është mbrujtur që në gjenezën e tij me idealet dhe vlerat perëndimore të demokracisë liberale. Me idetë e tij vizionare Ismail Qemali i parapriu kohës dhe mjedisit prapanik turkoshak.

Ai e kishte artikuluar qartazi qysh në shekullin e XIX-të, nevojën për një konfederatë të popujve evropian, ndërkohë që rreziku i pan-sllavizimit është aktual sot më tepër se kurrë. Këtë ide ai ia parashtroi sulltanit në memorandumin e të tij të famshëm të vitit 1892.

Ismail Qemali kërkonte atëherë realizimin e një marrëveshjeje politike dhe ekonomike duke iu dhënë popujve të Ballkanit lirinë e lëvizjes dhe të sipërmarrjes.

Ismail Qemali kishte bërë të vetin konceptin e bashkëjetesës midis popujve të ndryshëm.

Ky koncept nuk ishte bërë ende pjesë përbërëse e mentalitetit të kohës ku ai jetonte. Pra, më tepër se një shekull më parë, Ismail Qemali kishte përvetësuar konceptin e bashkimit ekonomik dhe politik, të cilin Evropa po përpiqet që ta realizojë sot e gjithë ditën…

  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb