Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të mbajë të shtunën dhe të dielën seancën për votimin e Qeverisë së re, që do të drejtohet nga Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së, partisë e cila fitoi zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 8 maj.

Qeveria e re do te ketë 24 ministri, apo katër më shumë sesa përbërja e deritashme, ndërsa pjesë e saj, përveç VMRO DPMNE-së, do të jetë koalicioni VLEN, që e përbëjnë katër parti shqiptare dhe partia ZNAM, të cilën e përbëjnë ish-anëtar të Lidhjes Socialdemokrate. Këto parti kanë një shumicë parlamentare prej 78 deputetëve nga 120, sa numëron gjithsej Kuvendi.

Për zgjedhjen e Qeverisë së re duhet të votojnë 61 deputetë, ndërsa sipas rregullores së Kuvendit, debati nuk mund të zgjasë më shumë se dy ditë. Koalicioni VLEN, do të drejtojë gjashtë ministri. Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Ekologjisë pritet të jetë Izet Mexhiti. Besar Durmishi do të drejtojë Ministritë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, ndërsa Fatmir Limani, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës. Arben Taravari është propozuar për ministër të Shëndetësisë, ndërsa Arben Fetai për zëvendëskryeministër. Orhan Murtezani pritet të drejtojë Ministrinë e re për Eurointegrime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: