Autoritetet zgjedhore në Iran bënë të ditur se ligjvënësi reformist, Masud Pezeshkian, dhe kandidati i linjës së ashpër, Saeed Jalili, do të përballen në rundin e balotazhit për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahet më 5 korrik.

Mohsen Eslami, zëdhënës i Komisionit Zgjedhor të Iranit, tha më 29 qershor se Pezeshkian në rundin e parë fitoi 42.5 për qind të votave, ndërkaq Jalili 38.6 për qind.

Dalja në zgjedhje ishte 40 për qind, që konsiderohet dalje e ulët.

Në garë ishin edhe dy kandidatë: Mohammad Baqer Qalibaf, kryeparlamentar i Iranit dhe Mostafa Purmohammadi, ish-ministër i Drejtësisë dhe i Brendshëm.
Të katër kandidatët u verifikuan dhe u miratuan nga Këshilli i Gardës, një mbikëqyrës kushtetues, anëtarët e të cilit janë drejtpërdrejt apo tërthorazi të emëruar nga udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei.

Rezultati i zgjedhjeve ka pak të ngjarë të rezultojë në ndryshime të mëdha politike, por mund të ketë ndikim se kush do ta pasojë Khamenein, i cili ka qenë lider suprem i vendit që nga viti 1989.

Pezeshkian është anëtar i Parlamentit që nga viti 2008 dhe ka shërbyer si nënkryetar i këtij institucioni nga viti 2016 deri më 2020, kur reformistët dhe të moderuarit kishin shumicën në Parlament.

Ai ka vënë në pikëpyetje metodat që përdor Irani për të detyruar mbajtjen e hixhabit nga gratë dhe vajzat dhe është shprehur në favor të negociatave të Perëndimit. Por, në zgjidhet, ai duhet të ndjekë politikat e Khameneit.

Disidentët brenda dhe jashtë Iranit kanë bërë thirrje për bojkot, duke argumentuar se votimet nuk do të sjellin ndryshime.

Lideri suprem i Iranit ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore dhe presidenti nuk ka shumë pushtet sa i përket çështjeve kyçe.

Zgjedhjet presidenciale në Iran u mbajtën pas vdekjes së presidentit paraprak Ebrahim Raisi, gjatë rrëzimit të helikopterit me të cilin ai po udhëtonte më 19 maj.

Shumë iranianë i janë referuar atij si “Kasapi i Teheranit”, për shkak të rolit të pretenduar të Raisit në ekzekutimin masiv të të burgosurve politikë më 1988, kur ishte zëvendësprokuror në Teheran./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: