Sipas njoftimeve kompanitë kryesore amerikane të teknologjisë kanë rritur kontrollin mbi të shkuarën e punonjësve dhe atyre që aplikojnë për punë, gjë që ekspertët thonë se është e nevojshme për t’iu kundërvënë kërcënimit që paraqet Kina në fushën e spiunazhit kibernetik.
Ndërsa kontrollet mbi të shkuarën po shtohen për aplikantët dhe punonjësit e të gjitha racave, ata me lidhje familjare me Kinën mendohet se janë kryesisht subjekt i presionit që ushtrohet nga qeveria e Pekinit.
Zheng, një student kinez, i diplomuar në shkenca kompjuterike në një universitet amerikan shpreson t’i shndërrojë lidhjet e tij me Kinën, në një mundësi për përfitim.
Ai nuk pranoi të zbulojë emrin e tij të plotë, nga frika e hakmarrjes së mundshme nga qeveria kineze. Por shtoi se kohët e fundit është përqendruar tek siguria kibernetike me shpresën për të rritur shanset punësimit në Shtetet e Bashkuara.
“Objektivi është disi ambicioz, por mendoj se di më shumë për Kinën si një person i lindur dhe i rritur atje. Shpresoj që karakteristikat e mia të shndërrohen në një pikë të fortë në fushën e sigurisë kibernetike, e të luajnë një rol në luftën kundër sulmeve kibernetike kineze”, thotë Zheng, i cili ka aplikuar për azil politik në Shtetet e Bashkuara.
Ai thotë se nuk është shumë i shqetësuar se kontrollet e shtuara mbi të shkuarën e tij, do të ndikojnë në perspektivat e tij të punësimit, por shton se shumë studentë ndërkombëtarë me të cilët ka studiuar, shqetësohen se nuk do të arrijnë të sigurojnë një punë, në fushën e sigurisë kibernetike.
‘Google’, ‘OpenAI’ dhe ‘Sequoia Capital’ janë mes atyre kompanive të teknologjisë që ofrojnë kapital investues, që kanë shtuar kontrollet e sigurisë për punonjësit apo ata potencialë, sipas një raporti të fundit të gazetës ‘The Financial Times’.
Gazeta citoi burime nga këto kompani që thanë se ata po i përgjigjeshin paralajmërimeve nga qeveria amerikane për një kërcënim në rritje nga spiunazhi kinez gjatë dy viteve të fundit.