Hamasi ka pranuar propozimin amerikan për të filluar bisedime për lirimin e pengjeve izraelitë, përfshirë ushtarë dhe burra, bëri të ditur të shtunën një burim i lartë i grupit militant për agjencinë ‘Reuters’.

Grupi militant islamik ka hequr dorë nga kërkesa, që përpara nënshkrimit të marrëveshjes, Izraeli të angazhohej fillimisht në një armëpushim të përhershëm.

Një zyrtar palestinez në dijeni të përpjekjeve për paqe të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht, tha se propozimi mund të çonte në një marrëveshje kornizë nëse pranohej nga Izraeli duke i dhënë kështu fund luftës nëntë-mujore në Gazë.

Një burim në ekipin negociator të Izraelit, që foli në kushte anonimiteti, tha se tashmë kishte një shans real për të arritur marrëveshje.

Një zëdhënës i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të shtunën.

Të premten zyra e tij tha se bisedimet do të vazhdonin javën e ardhshme duke shtuar se hendeku mes palëve mbeten ende.

Konflikti ka marrë jetën e më shumë se 38 mijë palestinezëve, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi.

Lufta nisi pas sulmit nga grupi militant ndaj shtetit hebre më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë 1200 persona e marrë peng 250 të tjerë, kryesisht civilë izraelitë.

Propozimi i ri siguron që ndërmjetësit të garantojnë një armëpushim të përkohshëm, dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e trupave izraelite për sa kohë që bisedimet indirekte vazhdojnë, tha burimi i grupit militant.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: