Sot në Francë mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve parlamentare. Në lidhje me këto zhvillime, ka folur në një lidhje live analisti Genc Burimi nga Parisi.
Burimi tha se partitë politike tradicionale në Francë janë karbonizuar dhe francezët kërkojnë zgjidhje tek partitë ekstremiste. Sipas tij, nëse e djathta ekstreme e Le Pen fiton, Parisi mund të hyjë në kaos.
Genc Burimi: Në Francë mund të vijnë në pushtet ekstremët, e djathta ekstreme ose e majta ekstreme. Forcat politike normale janë karbonizuar, është karbonuar edhe partia e Macron, që ka ardhur në pushtet kohët e fundit. Francezët mendojnë se provuan gjithçka, nuk eci dhe tani po provojmë ekstremin. Ka shumë shtresa që nuk kanë përfituar aq sa duhet, këto shtresa ndodhen më së shumti në periferitë e qyteteve. Francezët mendojnë nga ana tjetër edhe se të huajt po iu marrin punët. Priten ndryshime në politikat e emigracionit. Mund të kemi qeveri të ekstremit të djathtë për herë të parë në Francë.
Rreziku është për Gjermaninë, sepse Gjermania del e humbura e madhe në këtë rast. Gjermania mund të humbasë Francën si aleate, sepse programi i Le Pen është një lloj Brexit dhe nëse Franca del nga euro, Gjermania humbet tregun europian. Edhe për luftën në Ukrainë, Franca mund të bëjë ndryshime në qëndrime, sepse Le Pen mund të bashkëpunojë me Orbanin. Nëse ekstremi i djathtë fiton, Parisi futet në gjullurdi, madje rrezikon dhe gjendje lufte.
(Balkanweb)