Është interesante se si Lajçak gjithmonë insiston në përmendjen e rolit të tij të plotë, jo vetëm si i dërguar i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për “çështjet e tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor”. Nuk e dimë se me cilat “çështje të tjera” është marrë ai në më shumë se katër vjetët e fundit, pos me dialogun. Madje, shtetet e tjera të rajonit nuk kanë dëshirë që Lajçak të flasë për to, sepse mendojnë se në këtë mënyrë po hyjnë në grupin e vendeve problematike. Kjo vlen edhe për Shqipërinë, ministri i së cilës e ftoi Lajçakun te merret me dialogun dhe të mos përzihet në çështje të tjera.

“Forumi i Dubrovnikut”, që tradicionalisht zhvillohet në fillim të verës në këtë qytet të bukur kroat, tashmë është shndërruar në një ngjarje me renome ndërkombëtare ku takohen dhe debatojnë politikanë të nivelit të lartë nga Evropa dhe bota. Duke marrë parasysh pozitën gjeografike dhe prioritetet që ka shteti organizator i këtij forumi, rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe procesi i zgjerimit të BE-së secilin vit zënë vend të veçantë në agjendën e tij. Kështu ishte edhe këtë vit. Isha i ftuar nga Ministria e Jashtme e Kroacisë, e cila është organizatore e kësaj ngjarjeje, për të moderuar një panel që u kushtohej të ardhmes së BE-së dhe dyshimeve nëse Evropa po shkon në drejtim të duhur. Pjesëmarrës ishin disa ministra dhe komisionerë të BE-së. Kosova në atë panel u përmend si shembull se si BE-ja nuk është në gjendje të flasë me një zë në politikën e jashtme siç nuk e bën këtë as në rastin e Palestinës dhe në shumë raste të tjera. Dhe kjo u përmend në diskutimin nëse duhet apo jo të hiqet e drejta e vetos kur merren vendime në politikën e jashtme të BE-së, në mënyrë që ajo të jetë më efikase në politikën e jashtme dhe që një shtet, apo pakica, të mos jetë në gjendje ta mbajë peng politikën e Bashkimit Evropian.

Por në një panel tjetër u diskutua më shumë për rajonin e Ballkanit. Atë e moderoi kolegu Michael Martens nga gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Algemaine Zeuting”. Nuk e kishte të lehtë, sepse për një orë duhej të moderonte një diskutim me hiq më pak se nëntë persona, kryesisht ministra nga rajoni, ndërsa nga BE-ja në atë panel ishte Miroslav Lajçak, i njohur si lehtësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Martens zgjodhi që të mos ketë një temë të panelit, por secilit pjesëmarrësi t’i bëjë pyetje aktuale që kanë të bëjnë me punën e tyre. Kështu, ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Shwartz, e pyeti për dështimin e Kosovës që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Ministrin e Kroacisë e pyeti për prishjen e raporteve me Malin e Zi. Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, O’Brian, e pyeti për rrezikun nga lufta në rajon, në veçanti për sulmin në Banjskë. Ndërsa Miroslav Lajçakut ia bëri pyetjen që ne që e përcjellim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e bëjmë qe 12 vjet, “Për çka është dialogu”: Lajçak u përgjigj si zakonisht, duke përmendur mandatin e tij dhe detyrat që të lehtësojë që palët të normalizojnë raportet mes tyre, në mënyrë që të ecin drejt BE-së.

Por Lajçak u lajmërua për të folur edhe në një çështje rreth së cilës ai nuk u pyet fare. Lajçak foli kur ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, i pyetur se a beson vendi i tij se BE-ja është vërtet duke iu përmbajtur parimit se “zgjerimi bazohet në meritat individuale të kandidatëve”. Ministri i Shqipërisë tha se vendi i tij do të ishte më i lumtur sikur në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE të kishin pasur më shumë konferenca ndërqeveritare pasi i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Lajçak reagoi duke folur në emër të BE-së, duke thënë se procesi i zgjerimit varet nga performanca e vendeve kandidate dhe se dyert e hapura janë për ata që i përmbushin kriteret. Kjo ndërhyrje e Lajçakut duket se e irritoi ministrin e Shqipërisë. Ai iu drejtua Lajçakut duke i thënë: “Mbaju ti me dialogun”. Madje i tha se “do të donim që ju në dialog të keni sukses”, por gjithsesi edhe ai përsëriti se Lajçak “e ka pasur, e ka dhe do ta ketë mbështetjen e Shqipërisë për rolin e tij në dialog”.

“Unë nuk jam vetëm për dialog, por jam EUSR edhe për çështjet e tjera rajonale”, tha Lajçak. Shtoi se ai merret me Ballkanin për një kohë të gjatë. Se ai ka qenë edhe ministër i një vendi anëtar dhe ka të drejtë të flasë edhe për këtë temë, sepse ka edhe njohuri.

Është interesante se si Lajçak gjithmonë insiston në përmendjen e rolit të tij të plotë, jo vetëm si i dërguar i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për “çështjet e tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor”. Nuk e dimë se me cilat “çështje të tjera” është marrë ai në më shumë se katër vjetët e fundit, pos me dialogun. Madje shtetet e tjera të rajonit nuk kanë dëshirë që Lajçak të flasë për to, sepse mendojnë se në këtë mënyrë po hyjnë në grupin e vendeve problematike. Ka pasur shpesh takime me zyrtarë nga rajoni, si dhe me shumë “partnerë” nga bota, dhe shumë prej tyre i ka postuar edhe në rrjetet sociale. Por nuk ka ndonjë shenjë se ka pasur ndonjë angazhim konkret, apo për më tepër ndonjë rezultat në ndonjë angazhim në ndonjë çështje tjetër rajonale. Por kjo na rikujton kohën kur ai u emërua si i dërguar i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në atë kohë nuk dihej a do të ketë apo jo dialog. E duhej siguruar që Lajçak të niste mandatin, pasi ai post thuajse ishte krijuar pikërisht për të. Dhe për të mos e kufizuar mandatin në diçka që mund edhe të mos ndodhë u kujtuan që pos për dialog ta emërojnë edhe si përfaqësues të posaçëm edhe për “çështje të tjera rajonale”. E kur tash bëhet bilanci i punës së tij, nuk shihet ndonjë rezultat. Natyrisht se ministrat dhe BE-ja gjithmonë do të flasin për suksese dhe nuk do të përdorin publikisht cilësime si “dështim”. Por shumica e madhe e tyre privatisht pranojnë se në dialog prej kur detyrën e lehtësuesit e ka marrë Lajçaku nuk ka pasur progres. Dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë aspak më normale sesa para se ai të niste mandatin.

E sa për vërejtjen e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë se Lajçak nuk do të duhej të përzihej në procesin e zgjerimit dhe në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, duhet thënë se “çështjet e tjera” është një fjalë e cila nuk mund të përkufizohet, dhe kjo mund t’i jep të drejtë Lajçakut që të flasë për çfarëdo që ia do qejfi.

Nuk ka dyshim se Shqipëria ka mbështetur Lajçakun në procesin e dialogut, sikur edhe shefin e tij, Borrell. Shqipëria i ka mbështetur aq shumë, saqë në koordinim me ta edhe i ka vendosur masa Kosovës, duke qenë ndër vendet e para që e bëri këtë. Dhe sikur BE-ja, ashtu edhe Shqipëria këtë e paraqiste si një veprim që “është në të mirë të Kosovës”. Do të ishte mirë që së paku Shqipëria të kishte përfituar diçka nga kjo mbështetje, edhe kur duhej të veprohej me masa kundër Kosovës. Do të ishte mirë sikur Shqipëria të kishte avancuar në procesin e negociatave të anëtarësimit. Por përkundër gjithë imazhit të mirë, përkundër faktit se i është besuar organizimi i Samitit BE-Ballkan, në procesin e integrimeve në BE, Shqipëria ka ngecur aq shumë saqë jo vetëm se është dhjetë vjet pas Malit të Zi, së paku pesë vjet pas Serbisë, por tash po tejkalohet edhe nga Ukraina e Moldavia. Sepse kjo BE, e cila ka aq shumë lëvdata për përshtatjen 100 për qind të Shqipërisë me politikën e jashtme të unionit, si dhe për “rolin konstruktiv” të Shqipërisë në përpjekjet për ta izoluar sa më shumë Kosovën me masa ndëshkuese, nuk ka mundur, apo as nuk ka dashur, që ta heqë bllokadën që Greqia ia ka bërë Shqipërisë në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Lajçak ndërkohë ka marrë edhe 5 muaj shtesë për t’u marrë me “dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe me çështjet e tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor”. Nëse puna e Lajçakut vërtet konsiderohet sukses, atëherë pasardhësi i tij nuk do ta ketë të vështirë t’i vazhdojë sukseset e tilla. Qoftë në dialog apo në “çështjet e tjera rajonale” nëse edhe posti i pasardhësit të Lajçakut do ta ketë të njëjtin emërtim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb