Kuvendi i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të kërkojë një interpretim nga Komisioni i Venecias lidhur me çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, ish-ministres së Mbrojtjes dhe ish-ministres së Jashtme në qeverinë Rama.

Gazetari Ergys Gjençaj, referuar burimeve nga Kuvendi, raporton për BalkanWeb, se Parlamenti i kërkon Gjykatës Kushtetuese riçeljen e shqyrtimit gjyqësor me qëllim kërkimin e një opinioni amicus curia nga Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias), lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Ndodhur në kushtet kur krijohet një pasiguri juridike, se përse grupi prej jo më pak se 1/5 e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në kundërshtim me rendin kushtetues në fuqi, Kuvendi është i mendimit që duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecias, dhe në lidhje me zbatueshmërinë e këtyre poarashikimeve kushtetuese dhe ligjore që lidhen me të drejtën e 1/5 së deputetëve të Kuvendit për të vendosur në lëvizje Kushtetuesen”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.

Partia Demokratike kishte dorëzuar padi në Kushtetuese, ku i kërkonte që t’i hiqej mandati ish-ministres Xhaçka për konflikt interesi, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik me vendim të Këshillit të Ministrave.

Më 24 Prill, Gazment Bardhi në emër të PD-së ridepozitoi një padi tjetër në Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës, por këtë herë të firmosur nga 44 deputetë të opozitës. Gjykatë Kushtetuese, e cila ka zhvilluar për së dyti seancat me palët dhe pritet të dalë me vendim.

Artan Gaçi investitor strategjik

Në mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli një vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Gjilekë të Himarës për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Në atë kohë, Olta Xhaçka mbante postin e ministres së Jashtme.

Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.

Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në atë kohë, ngriti shqetësime për konflikt interesi.

Xhaçka akuzohet se ka shkelur Kushtetutën, duke përfituar si deputete të mira publike, që kur bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, fitoi të drejtën e përdorimit të bregdetit për 30 vite falë një vendimi qeverie.

Rasti është kthjellësisht i pastër dhe për precedentë të tillë Kushtetuesja i ka hequr më parë mandatin e deputetit, Ilir Beqes dhe Koço Kokëdhimës.

Për çështjen në fjalë, SPAK ka sekuestruar të gjithë sipërfaqen e tokës që i ishte falur ish-deputetit socialist Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, për të ndërtuar resort si investitor strategjik.

Gjithashtu, në burg për këtë çështje ndodhet dhe ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro. Ky i fundit akuzohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të shoqërisë private të zotëruar nga Artan Gaçi.

Po ashtu, edhe vetë Artan Gaçi dhe bashkëshortja e tij deputete Olta Xhaçka kanë dëshmuar në SPAK në lidhje me këtë çështje që vijon të jetë në hetim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb