Regjizori Edmond Budina duke iu drejtuar mbështetësve të opozitës në tubimin kombëtar që po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tha se sot protestohet për familjet tona, sepse ky pushtet e ka nëpërkëmbur qytetarin, e ka shkatërruar këtë vend si askush tjetër.
“Skandalet këtu janë bërë normalitet”, tha Budina, duke theksuar se kemi në krye një hajdut, bashkë me bandën e tij.
“Ti themi jo kësaj bande mafioze që kemi në pushtet. Ne jemi këtu për të mbrojtur të drejtat tona”, tha Budina.
Aktori i njohur tha se Edi Rama nuk do të japë dorëheqjen, skandalet e tij vazhdojnë njëri pas tjetrit, kujtoni skandalin e Onkologjikut, më çnjerëzorin. Budina tha se kanceri i vërtetë është në godinën e Qeverisë, ai po ia merr frymën këtij vendi.
“Çfarë bën SPAK? Bën ndonjëherë ndonjë shfaqje dhe fut në burg ca cironka, por peshkaqenët janë këtu, që vazhdojnë të vjedhin”, tha Budina.
Në vijim ai u shpreh se PD dhe gjithë opozita nuk janë njësoj me këta hajdutë që po na vjedhin.
“Nuk ka pasur asnjëherë këtë banditizëm, këtë mafie, nuk kemi qenë asnjëherë vendi i fundit i Europës. Këtë e kemi nga këta mafiozë, nga këta të fortë, ndaj edhe ne jemi këtu dhe ti themi Jo. Ka ardhur koha që protestat tona të radikalizohen. Boll më me fjalime, me fjalë të bukura dhe me përkujdeshje. Duhet ti përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Protesta po, greva po, madje të mos shkulemi që këtu, deri në rrëzimin e Edi Ramës”, tha ai.
Budina u shpreh se opozitën nuk e përcaktojnë të huajt, as liderin e opozitës nuk e përcaktojnë të huajt, por e përcaktojnë qytetarët me votën e tyre.
“Lirimi i liderit të opozitës, Qeveri teknike pa Edi Ramën, zgjedhje të lira dhe të ndesrhme, dhe opozita duhet të frymëzojë popullin e saj”, tha Budina, duke renditur sipas tij, kërkesat kryesore që duhet të ketë opozita.