Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se nuk është e mundur që NATO të vazhdojë partneritetin e saj me administratën izraelite.
“Derisa të vendoset paqja gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme në Palestinë, përpjekjet për bashkëpunim me Izraelin brenda NATO-s nuk do të miratohen nga Turqia”, tha Erdogan në një konferencë shtypi gjatë samitit të NATO-s.
Gjithashtu, Erdogan deklaroi se Turqia vazhdon përpjekjet e saj diplomatike për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Ndër tjera, presidenti tha se ka kërkuar nga Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, që të takohet me presidentin sirian, Bashar al-Assad, për të filluar rivendosjen e marrëdhënieve me Sirinë, shkruan Reuters.
“Turqia do t’i bëjë ftesë Assadit në çdo kohë për bisedime të mundshme për të rivendosur marrëdhëniet midis dy fqinjëve”, tha Erdogan.
Lidhur me shitjet e aeroplanëve F-16 në Turqi, Erdogan tha: “Kam biseduar me Bidenin. Unë do ta zgjidh këtë problem në 3-4 javë”.
Ai deklaroi gjithashtu se Turqia pret solidaritet nga aleatët e NATO-s në luftën e saj kundër terrorizmit.
“Nuk është e mundur që ne të pranojmë marrëdhënien e shtrembër që disa nga aleatët tanë kanë krijuar veçanërisht me PYD/YPG, shtrirjen e organizatës terroriste PKK në Siri”, shtoi Erdogan.
Ndryshe, qëllimi i Turqisë është të bëhet një anëtar i përhershëm, jo vetëm një vëzhgues, i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO).
SCO është një klub sigurie, politik dhe ekonomik i krijuar në vitin 2001 nga Rusia dhe Kina dhe shtetet e Azisë Qendrore si një kundërpeshë ndaj aleancave perëndimore.