Tirana shmangu disfatën me Torpedon në Gjeorgji, me ndeshjen e Conference League që u mbyll 1-1. Pas sfidës, foli trajneri i bardhebluve, Bledi Shkëmbi.

Ashtu siç shkoi ndeshja, me pak menaxhim të mirë mund të ktheheshit me një fitore dhe si janë shanset për kualifikim?

Do të doja ta fitonim këtë ndeshje. Po e nis nga fundi. Ndeshja e kthimit do të jetë shumë e vështirë, edhe sesa kjo. Por, jam i kënaqur me këtë skuadër të re, me lojtarë të rinj. Mendoj se bëmë mirë, por në atë të kthimit duhet të bëjmë më shumë që të kualifikohemi. Pak a shumë e prisja që ndeshja ashtu do të shkonte. Më vjen keq që kishim raste dhe nuk arritëm të shënonim golin e dytë. Ndoshta asgjë nuk do të ndryshonte nga ajo që duhet të bëjmë në ndeshjen e kthimit. Më erdhi mirë për barazimin, normalisht do më vinte shumë më mirë nëse do të fitonim, e para për futbollistët, për fanellën që veshim, por edhe për tifozët tanë që kishin bërë shumë kilometër për të na mbështetur dhe të paktën i gëzuam pak.

Si tu duk ekipi në fushë, çfarë përgjigje more?

Për mua nuk ka ndryshuar asgjë. Të paktën ashtu siç i vlerësova para kësaj ndeshjeje. Patjetër që Torpedo është një skuadër më e fortë sesa ne në letër, por unë do të vazhdoj që të kërkoj nga skuadra ime të njëjtat gjëra, të njëjtin shpirt sakrifice, të njëjtën dëshirë për të marrë rezultat apo për të kualifikuar, duke njohur mirë kundërshtarin dhe veten. Kjo ishte ndeshja e parë e vërtetë, patjetër që donim të tregoheshim të kujdesshëm sesa duhet, kjo edhe për meritë të Torpedos, por ideja ishte që të bënim një futboll më të mirë sa i përket fazës së sulmit, megjithatë jam i kënaqur me dëshirën që treguan djemtë.

Ndeshja e kthimit dhe gabimi i Micit?

Në ndeshjen e kthimit do të kemi të njëjtën mënyrë të luajturi. Do të jemi shumë të kujdesshëm. Sa i përket Micit, pavarësisht se bëri autogolin, mund të shënonte edhe një tjetër. Nuk jam nga ata trajnerë që për një gabim, futbollistët t’i dënoj duke i nxjerrë nga formacioni, përkundrazi, Mici është lojtari më me eksperiencë që na ndihmon shumë, pavarësisht gabimit.

Çfarë ju the lojtarëve në pushim që ndryshuan lojën?

Nuk mendoj se fjalët e mira në pushim ndryshuan lojën, por ishte merita e lojtarëve të cilët patën më shumë besim për të parë portën kundërshtare. Fatmirësisht ky besim u shpërblye, por patjetër që dua të komplimentoj edhe ata lojtarë që u futën në lojë gjatë pjesës së dytë të cilët të gjithë dhanë kontribut të madh, edhe pse është e vështirë që të hysh menjëherë në ritmin e skuadrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb