Drejtoria e Burgjeve të Shqipërisë ka njoftuar zyrtarisht se ka miratuar kërkesën për lejen 5-ditore për Fredi Belerin, në mënyrë që ky i fundit të kryejë betimin si deputet i Parlamentit Evropian.
Leja e Belerit do të nisë ditën e hënë, kur ai do të udhëtojë drejt Strasburgut në Francë për të kryer betimin dhe të marrë mandatin e tij si ligjvënës evropian.
Beleri do të kthehet në përfundim të lejes, e cila skadon në datën 20 korrik 2024, për të vijuar dënimin e tij në burgun e Fierit.
Njoftimi zyrtar:
Pas kërkesës së të dënuarit Dhionisis (Alfred) Beleri për leje shpërblyese në funksion të ndjekjes së punimeve në Parlamantin Europian në datat 15-20 korrik 2024 në Strasburg, referuar Urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm nr. 733 prot, datë 04.06.2024 “Për përbërjen dhe funksionimin e Bordit të Monitorimit të dhënies së lejes shpërblyese dhe të veçanta për të burgosurit në IEVP” është dhënë leje shpërblyese për të dënuarin Dhionisis (Alfred) Beleri nga data 15 korrik deri në 20 korrik 2024. Pas përfundimit të lejes pesë ditore, i dënuari Alfred Beleri do të kthehet në burgun e Fierit për të vazhduar kryerjen e dënimit, sipas vendimit të GJKKO.