Teksa kreu i SPAK, Altin Dumani po raporton në Kuvend, deputeti i PD-së, Saimir Korreshi deklaroi se u ndoqën dy standarde për çështjen ndaj Arben Ahmetajt dhe Sali Berishës. Korreshi theksoi se edhe për çështjen e inceneratorëve nuk është marrë asnjë masë. Sakaq, Dumani theksoi se këto janë çështje nën hetim.
Korreshi: Nga SPAK është mbajtur dy standarde. Për zotin Ahmetaj janë dërguar një dokumentacion në Këshillin e Mandateve dhe më pas është hequr imuniteti. Gjatë seancës me dyer të mbyllura kemi kërkuar të merrej masa, pasi zoti Ahmetaj po çante ferrën. Për Berishën nuk u mbajt ky standard.
Si ka mundësi në rastin e fundit të urdhërndalimeve për inceneratorët, asnjë nuk është arrestuar por kanë çarë ferrat, janë larguar nga Shqipëria?
Dumani: Të dyja janë çështje në hetim paraprak, dhe nuk flas dot. Dhe për çështjen e tyre, është hetim paraprak. Është hetim kompleks dhe përfshin disa struktura. Nuk mund të ndaj asgjë më tepër. Kur të kemi një konkluzion të saktë, do të dalim për një njoftim për mediat.
(BalkanWeb)