Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani gjatë prezantimit të raportit vjetor të Strukturës së Posaçme para Kuvendit të Shqipërisë theksoi se në kryeqytet dhe qytete të tjera bregdetare grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave.

Dumani renditi 9 qytetet në vend ku vepron krimi i organizuar në forma të ndryshme nga vrasje, pastrim parash e trafik të lëndëve narkotike.

“Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë Kruja.

Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave. Trafiku i narkotikëve është një problem në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë.

Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë të shpeshta në Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.

Në Fushë-Krujë është e pranishme tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese, por dhe makinave të vjedhura të cilat shërbejnë si mjete për kryerjen e vrasjeve”, tha Altin Dumani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb