Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka prezantuar tre hapa që synon t’i marrë për t’u përgatitur për një plan të paqes, që mund të jetë gati para fundit të vitit, për të mundësuar mbajtjen e një samiti të dytë ndërkombëtar për paqe, me mundësinë e pjesëmarrjes së zyrtarëve prej Rusisë.

Duke folur në një konferencë për media, më 15 korrik, pasi udhëtimit të tij në Shtetet e Bashkuara, ku ka marrë pjesë në samitin e NATO-s, Zelensky ka thënë se takimi, që me shumë gjasë do të mbahet në Katar, në fund të këtij muaji, apo në fillim të gushtit, synon të nxjerrë disa përgjigje, dhe më pas të përgatitet plani për sigurinë e energjisë.

Më pas, në fund të gushtit planifikohet të mbahet një takim i dytë në Turqi, për t’u pajtuar për planin e sigurisë ushqimore dhe një takim i tretë në shtator, në Kanada, me qëllim të krijimit të planit për shkëmbim të të burgosurve dhe kthim të fëmijëve të marrë prej Ukrainës në Rusi.

“E kam vënë këtë synim për ne, që të kemi planin e gatshëm në nëntor. Kur plani të jetë gati, gjithçka do të jetë gati për samitin e dytë”, ka thënë Zelensky.

Në samitin e parë për paqe, të mbajtur më 15-16 korrik në Zvicër, më shumë se 90 shtete janë fokusuar në konfliktin më të shkatërrues në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore.

Pas shpërndarjes së delegacioneve, palët janë dakorduar për mbajtje gjallë të procesit, dhe për mundësinë e organizimit të një samiti të dytë në të ardhmen.

Mirëpo fakti që Moska nuk është ftuar në atë organizim – të cilin vetë ajo e ka konsideruar humbje kohe – pati rritur dilemat për rezultatin që mund të kenë proceset e paqes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: