Në seancën ku u diskutuan raportet vjetore të institucioneve të pavarura të gjyqësorit, ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh se nuk kishte ndodhur kurrë që këto institucione të viheshin në situatë inkuizicioni, nga opozita.

Ai tha se mazhoranca e majtë i mbetet qëndrimit mbështetës për reformën në drejtësi dhe organeve të reja të gjyqësorit.

“Në sallë qarkullonin fletushka me pyetje të porositura nga ‘Ballkone’ të caktuara, për t’ju kundërvënë 5 përfaqësuesve që ishin sot këtu, Prokurorit të Përgjithshëm, Drejtuesit të SPAK, Kryeinspektorit të ILD, Kryetares së KLGJ e KLP. Halli i madh i një pjese të opozitës, ka zënë grykën e gjithë opozitës”, deklaroi Balla.

Sipas tij, sulmet e një pjese të opozitës ndaj drejtësisë së re, lidhen me çështjet e regjistruara nga këto organe, ndaj Berishës.

 

“Do kisha dashur shumë që dhe opozita sot të vinte këtu e përveçse ta përdorte seancën për të kërkuar shpjegime, se pse mbahet në arrest shtëpie Sali Berisha, në cilin pjesë të raportit të njërit prej institucioneve kjo pjesë është pjesë e raportimit?! Kur ka ndodhur që një person që ka bërë një kallëzim, bie fjala njëri ka bërë kallëzim për një pronar të medias, t’i kërkojë shpjegime prokurorit në seancë, pse nuk ke vënë në lëvizje kallëzimin që kam bërë, zotëri?! Minimalisht bie ndesh me Kodin Etik, nuk mund të përdorësh Kuvendin, sepse je palë në proces dhe ke konflikt interesi. Qasja që momentin e parë suleni tek foltorja, ndërkohë që foltorja i ishte dhënë dikujt tjetër.

Shpresa për të çliruar ju, një pjesë, nga ky makth që ju ka zënë është e vogël, pothuajse zero. Por, kjo e sotmja ishte një shans tjetër i humbur, ku minimalisht një pjesë prej jush, e pse jo të duartrokisnit faktin që këto institucione të reja kanë rezultate. E vërteta është që kanë. Gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar. Por duke qenë në krahun tjetër Sali Berisha, për ju SPAK nuk është më SPAK, por është ‘Skrap’.

Kur nga kjo anë e sallës, keni dëgjuar njëherë që kjo parti (PS) të marrë në mbrojtje një person? E kemi thënë ditën e parë dhe ky është standardi ynë, përgjegjësitë janë individuale. PS nuk është zyrë avokatie, për asnjërin prej nesh. Ky është standardi që duhet të vendosi edhe Kuvendi. Foltorja nuk duhet të përdoret nga asnjë folës i Foltoreve, për të sulmuar institucionet e pavarura. Parimi i ndarjes së pushteteve është i qartë. Kuvendi është pushteti legjislativ. Institucionet e pavarura janë pushteti gjyqësor. Ne jemi pushteti ekzekutiv. Të ndarë përmes kontrollit e balancës”, nënvizoi Ministri.

Ministri i Brendshëm kishte një mesazh edhe për gjyqësorin, duke u ndaluar tek dy vepra penale, për të cilat sipas tij priten vendime më të ashpra.

“Do të kërkoja shumë nga KLGJ një fokus të veçantë kur bëhet fjalë për veprat penale që lidhen me dhunën në familje. Numrat tregojnë se edhe pse kemi numër të madh referimesh, përsëri na mungojnë vendimet ekzemplare, për t’ia bërë me dije kujtdo se nuk preket bashkëshortja, motra, nëna, nga kushdo qoftë. Duhen shembuj. Sa doli raporti i fundit i DASH, që thotë se qeveria ka bërë një punë të mirë, 1, 2, 3, por nuk ka vendime përfundimtare. I jam drejtuar me shkresë para ca muajsh KLGJ e KLP, që na duhen vendime përfundimtare për ata që trafikojnë të mitur, ka çështje që presin prej vitesh. Kam dhe një merak tjetër, zotërinj gjyqtarë, ka shumë vepra që presin, siç është zjarrëvënia. E kuptoj që ndonjë gjyqtari i duket si vepër e thjeshtë, ç’ta dënojmë se një zjarr ka vënë, edhe pse Kodi Penal thotë 15 vite burg. Unë nuk bëj pjesë tek ata që mendojnë se vendimet e ashpra janë një politikë e duhur penale, por kur dëmet e zjarrvënies janë të parikuperueshme, duhen”, apeloi Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb