Ambasadori i Rusisë në Serbi nëpërmjet një deklarate në rrjete sociale, ka “dënuar fuqishëm restaurimin” e shtëpisë së Xhafer Devës.
“Ne u bashkohemi kërkesave për ndalimin e menjëhershëm të rinovimit të shtëpisë së Xhafer Devës dhe parandalimin e rishkrimit keqdashës të historisë nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”, shkruhet në deklaratën e ambasadorit Aleksandar Bocan Harçenko.
Ka akuzuar edhe Perëndimin që po i mbyll sytë. Monumenti gati njëshekullor që ka hyrë në fazën e radhës të restaurimit, është i shpeshtë në diskurse të tilla, që ngrihen deri te qarqet diplomatike
Autoriteteve ruse u ka dalë punë me shtëpinë e Xhafer Devës në Mitrovicë, e cila ka hyrë në fazën e radhës të restaurimit.
Monumenti nën mbrojtje të përhershme nga shteti si “ish-Ambulanca e vjetër – Shtëpia e Xhafer Devës” përherë ka nxitur vëmendje edhe ndërkombëtare sapo kanë nisur projektet restauruese, e janë pezulluar me kërkesa ambasadorësh.
Tashmë i ka rënë në sy ambasadorit të Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan Harçenko, i cili ka kërkuar që “projekti të ndalet menjëherë” si një hap për ta parandaluar “rishkrimin keqdashës të historisë”.
Ka fajësuar “institucionet vetëqeverisëse”, por edhe Perëndimin që i ka mbyllur sytë.