Përfaqësues të Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Zbulimit në parlamentin e Kosovës, thanë të mërkurën se kërcënimi nga Serbia dhe organizatave që strehohen dhe trajnohen në Serbi për tensionim të situatës së sigurisë në Kosovë vlerësohet të jetë i lartë.
Këto deklarata u bënë pas takimit që përfaqësues të këtij komisioni patën me shefin e Agjencisë për Intelegjencë të Kosovës, Petrit Ajeti.
“Situata në katër komunat në veri është e qëndrueshme dhe pse ndërhyrjet dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme. Kërcënimi nga Serbia dhe organizata paramilitare dhe terroriste anëtarë të të cilave po strehohen dhe trajnohen në Serbi vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat inteligjente grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe të Kralevës”, tha Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit.
Me 24 shtator të vitit të kaluar një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë. Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.