Ndeshja me Iberian luhet të enjten, por Partizani e ka nisur që dje transfertën gjeorgjiane. Skuadra dhe drejtuesit janë nisur dje rreth orës 15:00 nga aeroporti i Rinasit drejt Stambollit, që ka qenë ndalesa e fundit përpara zbarkimit në Tbilisi.

Skuadra ka arritur në destinacion pranë mesnatës, kur është akomoduar në një nga hotelet prestigjioze të kryeqytetit gjeorgjian. Ekipi i kuq do të zhvillojë edhe dy seanca stërvitore në Tbilisi. Njëra do të kryhet në një fushë stërvitore, të cilën do t’ia mundësojë Iberia dhe e fundit një ditë para ndeshjes në stadiumin “Mikheil Meskhi”. Situata sa i përket gjendjes fizike nuk është më e mira, pasi Valentino Muratajt dhe Marçelino Prekës u është dashur të heqin dorë për shkak dëmtimesh.

Pjesa tjetër e skuadrës është paraqitur pa probleme deri para nisjes për në Gjeorgji, me Sembene, i cili e ka kaluar tërësisht ndrydhjen që kishte në kavilje. Sa i përket 11-shes, Shehi pritet ta rreshtojë ekipin në një mënyrë të ngjashme me atë kundër Marsaslok, veçse do të duhet të gjejë një zëvendësues për Muratajn dhe të zgjedhë një mes Kekos dhe Bintsukës krah Carës. Sakaq, pritet të shihet lista zyrtare për të parë nëse Taipi dhe Mintongo i janë bashkuar ekipit në Gjeorgji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb