Skuadra u ngrit nga pista e aeroportit të Rinasit në orën 15:00 të së hënës, për të mbërritur gjatë pasdites në aeroportin e Stambollit, ku pas një pritjeje prej afro dy orësh, ka nisur udhëtimin final drejt Tbilisit. Në një udhëtim, që zgjati rreth 10 orë, të kuqtë janë akomoduar në një nga hotelet më të njohura të Tbilisit rreth orës 1:00 të ditës djeshme me orën tonë, 3:00 me orën gjeorgjiane.
Duhet thënë se pas gjithë maratonës së këtij udhëtimi, lojtarët dhe i gjithë stafi janë ndier shumë të lodhur dh u është dashur të pushojnë gjatë ditën e djeshme. Sakaq, pasdite skuadra ka kryer seancën e parë stërvitore në Gjeorgji, në një fushë stërvitore, të cilën e ka siguruar klubi i Iberias, siç edhe parashikohet nga UEFA në të tilla raste. Në seancën e djeshme janë stërvitur normalisht të gjithë lojtarët që kanë udhëtuar me skuadrën në Gjeorgji. Shehi më së shumti ka punuar në aspektin teknik dhe nuk e ka ngarkuar skuadrën në maksimum fizikisht, ndikuar nga lodhja dhe nga fakti se të hënën lojtarët nuk janë stërvitur.