Deputeti socialist Xhemal Qefalia në rubrikën Opinion në Neës24, ka folur lidhur me hetimin parlamentar për TIMS.

Qefalia tha se socialistët kanë qenë shumë institucionalë dhe raporti i hartuar prej tyre ndodhet i depozituar në Kuvend.

Deputeti socialist tha se përgjatë 4 muajve të punës së Komisionit Hetimor u bë një punë voluminoze, e cila përmblidhet në raport.

“Sistemi TIMS ka nevojë për ndërhyrje, duhen ndryshime ligjore. Mungon kuadri ligjor për mënyrën se si administrohet ky sistem, duhen forcuar rregullat. Kemi vënë re që personat që janë në serverat kryesorë duhet të jenë të çertifikuar. Kemi evidentuar persona që kanë tentuar të hyjnë apo janë futur në sistem edhe pa pasur kompetencën për të bërë një veprim të tillë. i kemi kërkuar ministrit të Brendshëm që të marrë masa ndaj këtyre individëve. Në anën tjetër kemi një hetim nga Prokuroria, e cila do të konkludojë edhe për personat përgjegjës”, tha Qefalia.

Ai tha se gjëja më korrekte do të ishte që të kishim një raport të vetëm, ashtu sikundër kishim një plan hetimi.

“Raporti që paraqiti opozita është tërësisht i bazuar në deklaratat e Kryetarit të Komisionit. Nuk ka fenomene kaq të llahtarshme sa ato që shprehej Ervin Salianji. Nuk ka pasur as eksportim, as fshirje të të dhënave, apo mosregjistrim të personave që kanë kaluar kufirin”, tha Qefalia.

Ai e konsideroi raportin e paraqitur nga opozita si të sajuar. “Nuk mund të bashkonim një gjë të sajuar me një gjë reale. Akuzat e Salianjit ose të pakicës, janë sajesa, nuk përputhen me gjendjen reale”, tha Qefalia.

Sipas deputetit socialist, opozita e paragjykoi procesin që në nisje të hetimet parlamentar. “Ka gjëra të ekzagjeruara, sikundër ka edhe gjëra që na konvergojnë, sikundër është ajo e ndërhyrjes ligjore”, tha deputeti socialist.

Ai u shpreh se janë me qindra mijëra fletë që kanë kaluar në duart e ekspertëve dhe jam i bindur që nuk ka pasur ndërhyrje.

“Drejtësia ka nisur një hetim ndaj një individi. Gjetjet tona nuk do i depozitojmë në Prokurori, nëse organi i akuzës i kërkon, do ia çojmë”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb