Një nga hartuesit e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, socialisti Damian Gjiknuri deklaroi në Kuvend se janë përmbushur kushtet që në 5 qarqe, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të votohet dhe numërohet elektronikisht.
Gjiknuri tha se në Shqipëri nuk ka më ankesa për administrimin e procesit zgjedhor, ndërsa theksoi se duhet të ndryshojë mentaliteti i mospranimit të humbjes.
“Asnjë nuk ankohet më për administrim të zgjedhjeve në Shqipëri, pasi çdo votë numërohet pasi është hedhur, çdo kuti hapet sa herë kërkohet, çdo votë skanohet dhe ruhet, çdo qendër votimi filmohet, çdo zgjedhës identifikohet me teknologji. Dhe mundësia është që në 5 qarqet më të mëdha të vendit të realizohet që çdo votë të votohet dhe numërohet elektronikisht. Ky është vullneti i mazhorancës. Një dekadë më parë disa deputetë këtu futeshin në grevë urie për një kërkesë fare të thjeshtë, të shihnin votën e tyre. Kohët ndryshojnë dhe patjetër me të edhe njerëzit. Por një gjë nuk po ndryshon, kultura e pranimit të humbjes e cila mban peng jetën politike në vend dhe na bën ne t’i kthehemi kësaj teme me reforma apo quazi reforma të ashtuquajtura elektorale. A do të jetë e fundit? S’di ta them. është si t’i besoj më shumë shpresës se sa arsyes. Por le të jetë votimi i sotëm një hap drejt shpresës…”, u shpreh Gjiknuri.
(BalkanWeb)