GJKKO ka vendosur vazhdimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për biznesmenin Valter Begaj, bashkëpunëtor me ish–kreun e ARRSH, Evis Berberi. Kujtojmë që pak ditë më parë Apeli i GJKKO rrëzoi kërkesën e biznesmenit Valter Begaj për heqjen e sekuestros ndaj kompanisë “DAMM shpk”. Dyshohet se Valter Begaj është personi kyç që ka shërbyer për të pastruar paratë e përfituar përmes tenderave të paligjshëm nga kreu i ARRSH-së.

Gjykata e Posaçme njofton se pas kërkesës së Valter Begaj të paraqitur më datë 27 maj pranë Gjykatës ku kërkon informacion me shkrim mbi gjendjen e procedimit penal dhe verifikimin e nevojave të sigurimit, GJKKO ka verifikuar dhe marrë informacionin nga ana SPAK mbi hetimet e kryera dhe nevojat e sigurimit për rastin objekt gjykimi. Më tej GJKKO njofton se ka vendosur vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, ndaj Valter Begajt të vendosur nga Gjykata e Posaçme më datë 13 mars, miratuar edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit me datë 25 maj.

Begaj ortak i Evis Berberit, i jepte tenderat e ARRSH
Njohjet mes Berberit dhe Begajt janë shumë të hershme, përpara se drejtori i ARRSH-së të merrte detyra në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Me marrjen e kësaj detyre, ai shiti aksionet e kompanisë DAAM te shtetasi Valter Begaj, për vlerën e 1.7 milionë eurove, ndërsa i kishte blerë për vetëm 800 euro.

Përveç aksioneve të DAAM, Begaj ishte zotërues dhe i kompanisë NET-GROUP (ish “B-VAAL ENGINEERING”), e cila rezulton që të jetë dhe kompania që ka fituar tenderat në mënyrë jo të ligjshme nga ana e Berberit.

Më pas këto të ardhura dërgoheshin te kompania tjetër e Begajt, kompania DAAM, e cila sipas SPAK vijonte që të kontrollohej po nga Berberi, pavarësisht shitjes fiktive që ai i kishte bërë aksioneve.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Kërkuesi Valter Begaj më datë 27.05.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Kërkohet informacion me shkrim mbi gjendjen e procedimit penal Nr. 214/2023 dhe verifikimin e nevojave të sigurimit për personin nën hetim Valter Begaj”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, bazuar në nenin 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 309, datë 26.07.2024, vendosi:

1. Verifikimin dhe marrjen e informacionit nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi hetimet e kryera dhe nevojat e sigurimit për rastin objekt gjykimi.

2. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale të caktuar ndaj shtetasit Valter Begaj nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me anë të vendimit Nr.21, datë 13.03.2024, miratuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me anë të vendimit Nr.16, datë 25.04.2024.

3. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës kërkuese.

4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb