Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar që ata që përdhosin flamurin amerikan duhet të kalojnë një vit pas hekurave.
Bëhet e ditur se ish-presidenti i bëri komentet gjatë një telefonate për Fox & Friends në Fox News, ku sulmoi gjithashtu rivalen e tij të re për Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris.
Komenti i tij për flamurin vjen pasi protestuesit të indinjuar nga vizita e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në SHBA, dogjën flamurin amerikan si dhe një figurë të Netanyahut në rrugët e Uashingtonit, në shenjë proteste ndaj ndihmave ushtarake amerikane në Izrael.
“Unë mendoj se ju duhet të dënoheni me një vit burg nëse e përdhosni flamurin amerikan”, tha Trump.
“Tani njerëzit do të thonë se kjo është antikushtetuese. Ata që e thonë këtë janë budallenj”, shtoi ai.
Trump pretendoi se nëse Kongresi do të miratonte një ligj që vendos një rregull të tillë, djegia e flamurit do ndalohej, shkruan the Independent.
“Është e pamundur që kjo të ndodhë në vendet e tyre. Ne dukemi kaq keq për botën, kjo ishte një shfaqje e turpshme”, tha Trump duke iu referuar Rusisë së Vladimir Putinit, Kinës së Xi Jinping dhe Koresë së Veriut të Kim Jong-Un.