Milani ka triumfuar në miqësoren përballë Manchester Cityt, mes një spektakli të 5 golave. Miqësorja e “luksit” e zhvilluar në “Yankee Stadium” në New York, përfundoi me fitoren 2-3 të ekipit italian. Megjithëse shumë “yje” të të dyja skuadrave nuk ishin prezentë në fushën e lojës, sërish vëmednja ishte maksimale në stadium, për shkak të emrave të mëdhenj të skuadrave që ishin në këtë përballje.

Edhe pse ishte Erling Haaland ai që kaloi Cityn në avantazh si fillim që në minutën e 19-të, Milani ia doli që të përmbyste pa u mbyllur pjesa e parë. Ishte Lorenzo Colombo, sulmuesi që sezonin e shkuar ishte pjesë e skuadrës së Monzës, ai që shënoi në minutën e 30-të dhe 34-të, me të asistime të marra nga Chukwueze.
Me nisjen e pjesës së dytë, City u bë më sulmues dhe kërkues. Ishte talenti McAtee ai që riktheu baraspeshën në “Yankee Stadium”, por diçka e tillë ishte momentale. Sulmuesi 20-vjeçar i Milanit, Marco Nasti shënoi një gol shumë të bukur në minutën e 78-të, i cili ishte i treti për “Djallin” dhe që I dhuroi fitoren në këtë miqësore luksi për kuqezinjtë e portugezit Fonseca.

Ky gol ishte ai që vendosi rezultatin përfundimtar të sfidës, me Milanin që dha nota shumë pozitive. Në krahun tjetër, u pa që City i Guardiolës kishte probleme të theksuara sidomos në mbrojtje. Gjithsesi sfida e zhvilluar mbrëmë ishte thjesht një test miqësor në të cilin të dy teknikët kanë mundësinë të provojnë futbollistë të rinj që mund të bëhen pjesë e skuadrës së parë në sezonin e ri.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: