Partizani është eleminuar në turin e dytë të Conference League. Pas humbjes 2-0 në Gjeorgji ndaj Iberia 1999, ekipi i Shehit nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në “Elbasan Arena”.
Të kuqtë e nisën ndeshjen me “marshin e pestë”, teksa pretenduan penallti që në minutën e 3-të. Zeka reklamoi 11-metërsh për prekje me dorë, por nuk mendoi kështu kryesori.
Në fundin e pjesës së parë, skuadra nga Gjeorgjia “flirtoi” me golin e epërsisë, gjithsesi shtylla i tha jo të besuarve të Korgalidze. Në fillimin e fraksionit të dy, Mba tentoi të zgjidhë vetë ndeshjen, nuk ia doli dot. Me minutat që po kalonin, Iberia u përpoq me të gjitha forcat, për të ruajtur ekuilibrat në këtë ndeshje.
Asnjë ndryshim rezultati deri në fund, Partizani mbyll kështu rrugëtimin në Europë.
(J.S/BalkanWeb)