NGA KIÇO BLUSHI*
Kulti i individit mesa duket vlen si një mjet mrekullibërës jo vetëm në diktaturë, si patëm kujtuar, po edhe në
demokraci. Veçanërisht nëpër demokracitë deledash. Me ndihmesën e një propagande intensive, falë trysnisë elektronike e të papërballueshme të mediave, kryetarët e partive dhe kryeqeveritarët synojnë çdo ditë të çimentohen në përditshmëri. Krerët ballkanikë besojnë se të përjetshëm e të paprekshëm do të bëhen e do të mbeten në histori jo me vepra, po me dëshirën tonë, falë verbërisë që na shtynë të hamë sapunin për kaçkavall me vullnet të lirë, ose, përndryshe: Me “votim të lirë e demokratik”.
Për të mbajtur gjallë sa më gjatë kultin e individit përdoren të gjitha mjetet e propagandës, mbi të gjitha investimet publike, taksat tona dhe sidomos fuqia cunamore e “një milion shuplakave” e cila shërben si argument justifikonjës për forcimin edhe më të kultit të individit.
Përdorimi dhe trajtimi i investimeve publike, i taksave tona, jo si detyrim, por si dhurata bamirësie që na bëjnë udhëheqësit bujarë, ka kaluar çdo kufi abuzimi. Kështu, Rrugën e Kombit dhe tunelin e Kërrabës shumë propagandonjës të zellshëm të PD-së ia kanë faturuar Berishës, duke iu mbivendosur këtyre veprave edhe emrin e tij, si shembuj suksesi, largpamësie, si shenjë e nivelit më të naltë “kombëtar” e zhvillimor…Aq sa ne, qytetarët, duhet të ndjehemi përjetësisht borxhlinj ndaj tij e të fillojmë të dyshojmë: Po sikur Berisha të mos i kishte bërë këto rrugë si do të ishim ne sot? Në këtë përfundim alogjik nuk mund të shkohet edhe sikur të kishte ardhur Donald Trump e të na i bënte dhuratë rrugët e tunelet, me paratë e tij.
Por ja që ne me sa duket nuk shkëputemi dot nga mendësia prej rajaji e kultit të individit. Vazhdojmë të ndjekim pas idhujt pa krena, derisa këta e thyejnë qafën vetë.
Ngaqë nuk kemi përgjegjshmëri për taksat, qeveritarët na bëjnë kollaj lavazh në tru. Diktatura krijoi iluzionin e “një vendi pa taksa”, ndaj ne, edhe sot, për inerci, vazhdojmë të mos kemi raport llogarie me to. Taksat tona na duket sikur nuk kanë lidhje me xhepin tonë. Për këtë arsye investimet publike na paraqiten si dhurata të udhëheqësit të radhës, të cilët sillen me fondet publike, me financat e shtetit, si me një mall pa zot. Ku e ku më abuzivisht se ç’janë sjellë me pasuritë dhe pronat publike.
Indiferenca totale e opinionit publik për mënyrën se si përdoren e ku shkojnë taksat tona është dëm i dyfishtë, më i përkeqtë edhe se shpërdorimi i financave dhe tenderëve. Ne si qytetarë jemi të pa ndërgjegjshëm e më të papërgjegjshëm për taksat e për mënyrën se si përdoren ato edhe se qeveritarët që i (keq) administrojnë fondet publike. Ne llogaritim vetëm paratë e xhepit vetjak e nuk na bën përshtypje kur taksat tona përdoren për të bërë fasada, pedonale, stadiume, për të restauruar ministritë çdo 4 vjet, për të blerë Jaguar për udhëheqësit, apo për të mbjellë palma në një vend ku “pula ha gur”…
Kjo miopi kolektive, e trashëguar, nga një “regjim pa taksa”, e ka rrënuar standardin demokratik të shoqërisë tonë. Kjo është një arsye më shumë përse ne kemi mbetur më të fundit në Ballkan për nivelin e mirëqenies. Dhe për shkallën e lartë të varfërisë e papunësisë.
***
Çështja pra është e thjeshtë: Me çfarë financash i bëjnë këta liderë investimet në veprat publike? Si shpjegohet që sa herë ndërrohen qeveritë, puna e parë që bëjnë është prishja dhe rindërtimi nga e para e sheshit “Skënderbej”? Ku shkojnë investimet që patën bërë pararendësit e tyre? Përse nuk mbajti askush përgjegjësi për prishjen e mbikalimit në Laprakë e jo vetëm aty? Sa herë është ndërhyrë në ndërtesën e ish-ATSH-së apo te Liceu Artistik? Me paret e kujt dëmshpërblehen nëpunësit e pushuar me të padrejtë nga puna, apo ish-pronarët të cilët kanë fituar gjyqet në Strasburg? Ata që kanë marrë mandatin tonë, a po realizojnë ato vepra që na nevojiten, që na e përmirësojnë jetesën, apo krerët tanë kryejnë, sipas tekave të tyre, instalacione e fasada, për të lënë shenjën e tyre në histori, që të na bindin sa “punëtorë” të mirë janë? Përse hidhet aq shumë “asfalt elektoral” dhe përse priten aq shumë shirita fiktivë gjithmonë para zgjedhjeve?
Para disa ditësh Veliaj shkoi te ura e Lanës, përballë Urës së Tabakëve, për të promovuar riparimin e urës. Të nesërmen u gjend në një kopsht fëmijësh, pastaj në një çerdhe, duke përkëdhelur fëmijët, a thua se edhe këto kopshte janë riparuar e rinovuar me investimet e xhepit të tij. Se, qoftëlarg, po të mos ishte aq i përkushtuar kryebashkiaku i Tiranës pas punës, punës dhe vetëm punës, (si thotë vetë) kopshtet e çerdhet e fëmijëve mos vallë do të ishin për faqe të zezë?…
Më shembullori e më mediatiku është pa asnjë dyshim kryeministri Rama, i cili shkon e ndan tapitë e legalizimeve me dorën e vet anë e kënd Shqipërisë. Nëpërmjet spektakleve të kuruara me kujdes, herë me humor e herë me shpotira, si të realizonte instalacione lëvizëse, ai synon të na dërgojë këtë mesazh “gjithëpërfshirës”: Shihni dhe binduni, a nuk jam unë ai që po u jep tapitë e legalizimit, kur ata, para nesh, demokratët, ju kanë gënjyer? Ne si qytetarë, por as analistët nuk kanë guximin ta pyesin: Përse duhet të ndajë tapitë nëpër katunde kryeministri dhe, tekefundit, përse duhet të ndjekim live këto ceremoni të stisura, të cilat nuk kanë tjetër synim, përveçse të suvatojnë e t’i japin ngjyrë mavi kultit të individit?
Ky bombardim mediatik i përditshëm e i përnatshëm kërkon që ne të bindemi se edhe legalizimet janë dhuratë direkte që na vjen prej dorës e vullnetit të palëkundur të kryeministrit, ç’ka vetëkupton se, po të mos donte Rama, pra po të mos përkushtohej e po të mos luftonte ai me mish e me shpirt, legalizime në këtë “shoqëri rrumpallë” meazallah se do të kishte! Tani, falë tij, ne do të bëhemi edhe me shtet; se as shtet nuk paskemi pasur!
Si rezultat i kësaj trysnie propagandistike sot nuk ka investim publik, pedonale, fushë sporti, park lodrash për fëmijë, kanalizime, ujësjellës, shtrim rruge, mbjellje pemësh, promovim pularie apo fasonerie, etj, që të mos jenë privatizuar e përvetësuar, si modele të suksesit vetjak, nga të njëjtit udhëheqës. Dje nga Berisha, sot nga Rama. Të dy përdorin të njëjtat mjete e metoda. Besojnë se për një popull që “është mësuar të hajë bar”, më tepër ka rëndësi e vlerë iluzioni se do të jetë një ditë i lumtur, (dje do të hanim me lugë të florinjtë, ndërsa sot do të bëhet qytetar i BE-së…) se sa një realitet pa perspektivë. Ndaj kryeministrat në detyrë presin shirita virtualë, pa dobi kombëtare, molloisin e molloisin nat’ e ditë për reforma që “do të na sjellin ndryshime historike”, teksa janë të shoqëruar përherë nga vartës e puthadorë që u venë pas e që shërbejnë, duke shfaqur ngazëllim e përdëllim, si dekor lëvizës i një teatri urban e absurd.
***
Opozita, pavarësisht nëse quhet PS e sot PD, -që nuk ka në dorë investime dhe prerje shiritash, bën të kundërtën: Hedh dyshime për korrupsion, për vjedhje e për abuzime me tenderat, me shpresë se kësisoj do të dobësojë e do të çmontojë përdorimin e investimeve publike për qëllime politike, për forcimin e mëtutejmë të kultit të individit. Harron ose bën sikur harron se edhe vetë, kur ka pas qenë në pushtet, ka bërë të njëjtën gjë me “shiritat elektoralë”.
E gjithë kjo përpjekje për të përdorur investimet publike për forcimin e kultit të individit me taksat tona i ngjan një karuseli. Një karuseli që rrotullohet rreth vetes e që nuk të nxjerr kurrë në udhë të mbarë e të drejtë, por vetëm sa krijon iluzionin optik të lëvizjes dhe shpejtësisë. Kështu gënjehen vetëm fëmijët.
Por edhe ne, për fat të keq.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)