Ambasada amerikane në Tiranë ka prezantuar të ngarkuarën me punë të SHBA-ve në Shqipëri, Nancy VanHorn.

VanHorn në mesazhin e saj në shqip tha se mezi pret të mësojë kulturën shqiptare dhe se së bashku të promovojmë vlerat demokratike.

“Përshëndetje të gjithëve. Unë jam Nancy VanHorn dhe jam e nderuar të filloj punë si e ngarkuar me punë në ambasadën e SHBA-ve këtu në Tiranë.

Nga viti 2007 kur iu bashkova shërbimit të jashtëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam punuar si diplomate në të gjithë Europën Lindore, përfshirë ambasadat në Ukrainë, Armeni dhe në Rusi.

Jam e emocionuar që jam në Shqipëri dhe që do të punojmë së bashku për qëllimet tona të përbashkëta, për të promovuar vlerat demokratike, për të rritur sigurinë dhe bashkëpunimin si aleatë të NATO-s dhe për të çuar përpara rritjen ekonomike.

Jam e përkushtuar që ta mbështes Shqipërinë në rrugën tuaj drejt integrimit europian dhe të forcohet lidhja mes dy vendeve tona. Kam qenë duke mësuar shqip dhe mezi pres të zbuloj vetë kulturën e pasur të Shqipërisë. Për këtë, më duhet ndihma juaj për të filluar. Kam tre pyetje për ju: Cilin vend duhet të vizitoj të parin? Cili është ushqimi që duhet ta provoj patjetër? Cilin libër që tregon shpirtin e vendit tuaj më rekomandoni? Komentoni këtu për idetë e juaja. Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë në vendin tuaj të bukur. Pres me kënaqësi të zbuloj, të mësoj dhe të krijoj miqësi që i qëndrojnë kohës”, tha e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb