Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan akuzoi platformat e mediave sociale për “fashizëm dixhital” në komentet e tij të para për ndalimin e vendosur nga vendi në Instagram.

Komentet e liderit turk erdhën pasi zyrtarët u përfshinë në diskutime me përfaqësuesit e platformës së mediave sociale në pronësi të Meta për të rikthyer aksesin për miliona përdorues në Turqi.

Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të vendit (BTK) bllokoi aksesin në aplikacionin e njohur të mediave sociale të premten në mëngjes pa dhënë arsye.

Por masa erdhi pasi Shefi i Komunikimit të Turqisë, Fahrettin Altun kritikoi Instagramin për gjoja bllokimin e postimeve ngushëlluese për vdekjen e Ismail Haniyeh, shefit të byrosë politike të Hamasit, i cili u vra në një sulm ajror para agimit në Teheran të Iranit javën e kaluar.

Erdogan akuzoi të hënën platformat e mediave sociale se sillen si mafia dhe tha se ata nuk mund të “toleronin as fotot e martirëve palestinezë”.

Ndryshe nga aleatët e saj perëndimorë, Turqia nuk e konsideron Hamasin një organizatë terroriste. Një kritik i fortë i veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza, Erdogan e ka përshkruar grupin si një lëvizje çlirimtare.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu tha se autoritetet turke ishin takuar me përfaqësuesit e kompanisë në pronësi të Meta javën e kaluar dhe mbajtën një raund të ri bisedimesh të hënën pa arritur një zgjidhje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: