Dr.  Vasil Llajo

Në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit qarkullon muajin e fundit virusi i Etheve të Nilit Perëndimor (WEST NILE VIRUS).

Transmetohet nga pickimi mushkonjave të zakonshme të “infektuara”.

I takon familjes së Arbovirus-eve me genome monoklonale të ARN-së.

U izolua për herë të parë në zonën e Nilit Perëndimor në Uganda më 1937, nga ku mori dhe emrin.

Në 80% të rasteve prekja është pa simptoma, në 20% shkakton temperature, dhimbje koke, të vjella, dobësi muskulare, ekzanteme në lëkurë (kryesisht shpatull dhe gjoks).

Në 1% të rasteve mundet të manifestohet me prekje të sistemit nervor qendror si encefalitis, meningitis, shumë rrallë dhe vdekje (më pak se 1/1000 raste).

Mushkonjat e marrin virusin nga gjaku i zogjve të infektuar me këtë virus. Zogjtë janë dhe mbartës të virusit.

Nuk ka vaksinë për njerezit. Nuk ka as terapi specifike.

Mjekimi është simptomatik dhe përcaktohet nga klinika dhe graviteti i saj.

Testet Laboratorike që kryhen në këtë rast janë antikorpet IgM dhe IgG.

Antikorpet IgM shfaqen 8 ditët e para pas prekjes nga virusi. Bëhen në gjak dhe në likidin cerebrospinal (për të sëmurët që kanë prekje të sistemit nervor qendror).

Analiza e antikorpeve IgM është analiza e parë e cila kryhet te pacientët që kanë shfaqur simptoma. Vlen të theksohet se n.q.s pacienti nuk ka simptoma, nuk rekomandohet kryerja e këtyre testeve.

Prezenca pozitive e IgM (IgM pozitiv) tregon se pacienti është i prekur nga virusi. N.q.s prezenca e antikorpeve IgM del negative, kjo analizë përsëritet pas disa ditëve.

Gjithashtu bëhet dhe IgG, njëkohësisht me IgM. Kur të dya janë pozitive tregon prekje të tanishme të organizmit nga ky virus.

Prezenca vetëm e IgG (IgG pozitiv) tregon një prekje më të hershme nga virusi, muaj ose vite më parë.

Megjithatë, mundet që pas javës së tretë nga shfaqja e simptomave, IgG të jetë pozitive dhe IgM të jetë negative.

Këtu e merr fjalën interpretimi laboratorik, sipas kritereve shkencore.

Për të vlerësuar ecurine klinike të sëmundjes, përsëritet testi i IgM dhe IgG pas 3-4 javëve, për të parë n.q.s niveli i titrit të antikorpeve është rritur ose pakësuar.

Një rrugë tjetër transmetimi i virusit është dhe me gjak, pra n.q.s transfuzohet gjak nga një pacient i prekur me virusin e Nilit te një pacient tjetër.

N.q.s sëmundja shfaqet te një fëmijë bebe, që ushqehet vetëm me qumështin e nënës, atëherë duhet ekzaminuar nëna për të saktësuar rrugën e transmetimit nëpërmjet qumështit të nënës.

Kjo ndodh rrallë. Megjithatë kjo rrugë transmetimi është e konfirmuar shkencërisht.

Për përcaktimin e prekjes së organizmit nga virusi ekziston dhe metoda e PCR-së, përcaktimi me biologji molekulare i acidit nukleik të virusit. Me këtë metodë detektohet virusi që përpara shfaqjes së antikorpeve.

Meqenëse periudha më e zakonshme e shfaqjes së kësaj pathologjie lidhet me periudhën e shumëzimit dhe shfaqjes së mushkonjave, rekomandohet marrja e masave për luftën kundër tyre.

Vlen të theksohet se kjo sëmundje transmetohet nga mushkonjat e zakonshme dhe jo nga ndonjë mushkonjë “speciale”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb