Një shumë eurosh është sekuestruar në Kakavijë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se ka nisur procedimi penal për 38-vjeçarin me inicialet I.M., në çantën e të cilit u gjetën 19 150 euro të padeklaruara. Ndaj 38-vjeçarit rëndon akuza veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
NJOFTIMI I POLICISE
Sekuestrohet shuma e parave. Si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në PKK Kakavijë, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit I. M., ku u gjetën 19 150 euro, të cilat ky nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin I. M., 38 vjeç, lindur në Patos, Fier dhe banues në Greqi. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)