Forcat ruse sot goditën me raketa një supermarket në qytetin ukrainas Kostiantynivka në rajonin e Donetskut.
Sulmi është kryer teksa në dyqan ka pasur shumë persona, shkruajnë mediat e huaja.
Pamjet e sulmit po përhapen në rrjetet sociale gjersa shihet zjarri që ka kapluar dyqanin.
Të paktën 10 persona u vranë dhe më shumë se 35 u plagosën, njoftoi Zyra e Ukrainës për Situatat Emergjente. Dyshohet se më shumë njerëz janë nën rrënojat e dyqanit.
Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se janë duke përcaktuar të gjitha pasojat e sulmit.
“Kostyantynivka, rajoni Donetsk. Terroristët rusë goditën një supermarket të zakonshëm dhe një zyrë postare. Ka njerëz nën rrënoja. Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar dhe do të bëhet gjithçka për t’i shpëtuar. Për momentin mësohet se janë vrarë katër persona. Ngushëllimet e mia për familjet dhe miqtë e tyre që kanë humbur të dashurit e tyre. Të paktën 24 persona janë plagosur. Rusia është përgjegjëse për këtë terror dhe ne do të bëjmë çmos për të siguruar që bota të vazhdojë të qëndrojë me Ukrainën në mbështetjen e mbrojtjes sonë dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve tanë”, deklaroi presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Kreu i administratës ushtarake rajonale tha se rusët sulmuan supermarketin me një raketë të tipit X-38.