Sot Gjykata e Pogradecit ka lënë në “arrest me burg” Denis Meçen, akuzuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”. Ndërsa, janë lënë në detyrim paraqitje tre shtetas të tjerë.

Pas këtyre vendimeve të dhëna nga gjykata, ka reaguar edhe motra e viktimës, si dhe një i afërm i tij. Motra tha se drejtësia nuk ka bërë drejtësi dhe se Egli u vra sërish. Ndërsa, i afërmi u shpreh se ata që kanë kryer krimin janë kriminelë dhe i njeh gjithë Pogradeci.

Reagon motra e viktimës pas vendimit të gjykatës: “Po flisni për padrejtësi që filloi nga policia e shtetit, padrejtësi duke filluar nga regjistrimet, cdo akt që kanë sjellë ata, akt që ka shoqëruar edhe gjykatën në padrejtësi. Janë lënë të lirë të gjithë vrasësit, flasim për padrejtësi të menjëhershme, në kohë, në bashkëpunim. Flasim për banda të bëra bashkë. Kam parë skedën e vdekjes, me shënim “është vrasje”. Çfarë janë këta të tjerët që lihen me detyrim paraqitje?

Po vazhdon të vritet Egli, me çdo veprim dhe mosveprim që është duke u kryer. Kjo është vrasje për herë të tretë.

Po flasim për vrasje me dashje, në bashkëpunim, në masë, të një njeriu të pafajshëm dhe janë lëshuar një tufë huliganësh. Kjo është.

Duke njohur kontigjentët, unë nuk jam në dijeni për gjobë, por duke njohur elementët është gjëja më e rëndë. Kur guxohet ta vrasësh, me grushta një njeri, do të thotë që çdo gjë tjetër është e mundur. Është bërë më ekstremi, më e madhja.”

I afërmi tjetër hedh akuza të forta: “Gjithçka pritet nga këta kriminelë. Në qytetin e Pogradecit këta njihen shumë mirë për gjobvënie, jam pa fjalë. Nuk di cfarë të them. Dua që drejtësia të vihet në vend. Ju lutem mediat të bëjnë të pamundurën, të zbardhin të vërtetën ose nuk e di ç’të them. Këta janë kriminela të gjithë në bashkëpunim”.

Akuza që hodhi i afërmi i viktimës në lidhje me gjobvëniet dyshohet të jetë motivi që ka çuar Denis Meçen të rrahë për vdekje Egli Progën. Kjo është edhe njëra nga pistat të cilat po hetohet nga prokuroria, ndërkohë veprimet hetimore do të mbledhin fakte të tjera për dosjen, ku do të merren dhe dëshmi nga persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen. Policia po heton ndërkohë në disa pista përfshirë edhe gjobvënien.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb