Zjarri në Malin e Tomorit është në ditën e tretë. Zjarri është izoluar mëngjesin e sotëm në një zonë të vetme, në Bozhan. Krijimi i perimetrit të sigurisë nga zjarrfikësit ka shmangur rrezikun e përhapjes së zjarrit drejt Parkut Kombëtar të Tomorrit dhe Çukës. Në zonë tashmë ka vatra zjarri ende aktive në trungjet e tharë dhe të rrëzuar dhe tym.
Zjarri në Malin e Tomorrit vijon prej tre ditësh. Forca të shumta zjarrfikëse, forca të ushtrisë, punonjës të Agjensisë Rajonale të Mjedisit dhe banorë kanë luftuar prej 48-orësh me flakët, ditën dhe natën.
Siç edhe raportohet nga zjarrfikësit në terren, zjarri është izoluar mëngjesin e sotëm në një zonë të vetme dhe mendohet se deri nga pasditja vatrat e zjarrit të shuhen plotësisht. Zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë kanë bërë të mundur izolimin e vatrave aktive të zjarrit në zonën e Bozhanit, aty ku edhe nuk ka rrezik përhapje drejt Parkut Kombëtar të Tomorrit dhe territorit të Çukës, ku do tē fillojë pas pak ditësh edhe Peligrinazhi i përvitshëm i bektashinjve.
Burimet nga vendngjarja konfirmojnë se është bërë përforcimi i periferisë rreth zjarrit, duke shuar çdo gjurmë në zonat kufitare. Të njëjtat burime konfirmojnë se përforcimi i perimetrit të sigurisë rrit garancinë që zjarri nuk do të dali jashtë tij. Në zonë tashmë ka vatra zjarri ende aktive në trungjet e tharë dhe të rrëzuar dhe tym, që del nga vatrat ende aktive dhe të nxehta, të cilat po mbahen në monitorim.
Për këtë situatë të rënduar zjarri, në Malin e Tomorrit ndodhen prej 3-ditësh 18 punonjës të Agjensisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, 27 efektivë zjarrfikës nga Skrapari, Berati e Poliçani, 30 forca të ushtrisë dhe banorë të zonës.
Burimet zyrtare nga DVP Berat konfirmojnë se duke dyshuar se zjarri ka qenë i qëllimshëm, po punohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, nëse konfirmohet se ka qenë i qëllimshëm.
(Balkanweb)