Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha të mërkurën se nuk mund të thotë se kur mund të hapet ura mbi lumin Ibër në veri, duke shtuar se “ne jemi shumë të interesuar të koordinohemi në këtë proces”. “Jemi duke i kryer të gjitha punët dhe kjo sigurisht është një çështje të cilët nuk mund ta them këtu; një datë se kur mund, apo do të hapet ura, për shkak se është absurde”, tha Krasniqi në një konferencë për media në Prishtinë.
Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka ngulur këmbë në hapjen e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin e vazhdueshëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kurtit për hapjen e urës në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.
Të mërkurën më herët, Kurti tha se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje çështjen e urës. Krasniqi shtoi se nuk ka asnjë arsye pse ura duhet të vazhdojë të jetë e mbyllur. “Nuk ka argumente se ura nuk duhet të hapet. Komunikimi me qytetarë është më i mirë se çdo herë më parë. Siguria në veri ka ndryshim të dukshëm. Qytetarët nga veriu dhe ata nga jugu komunikojnë më shumë dhe më lehtë tani”, tha ai. Megjithatë, Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të martën se ka rrezik të vërtetë lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha Hovenier. Krasniqi theksoi se autoritetet kosovare të sigurisë u janë përgjigjur brengave të qytetarëve serbë në veri në lidhje me sigurinë në këtë pjesë të vendit. “Ne vazhdimisht jemi në diskutime me qytetarët, me përfaqësuesit e shoqërisë civilë, partive politike, e kështu më radhë. Një takim të tillë e patë edhe më 8 gusht, ku pati një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, ku të gjithë ngritën brengat e tyre rreth sigurisë. Ata i morën përgjigjet nga MPB-ja dhe nga Policia”, tha ai.
Në debatin e organizuar në komunën e Mitrovicës së Veriut më 8 gusht kishte një pjesëmarrje të vogël të qytetarëve serbë dhe e të pranishmëve ishin asamblistë komunalë, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave. Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan javën e kaluar kundër rihapjes së urës mbi Ibër. Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve. Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, e cila ndan shqiptarët në jug dhe serbët në veri. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.
Ditë më parë KFOR-i tha se nuk dëshiron të spekulojë për ndonjë skenarë në të ardhmen, nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër. Çështja e urës ishte edhe temë diskutimi mes Kurtit dhe komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash, të martën vonë. Pas takimit të së martës mes Kurtit dhe Ulutasit, KFOR-i tha se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.