Partia më e madhe në Luginë (Partia për Veprim Demokratik) sot feston ditëlindjen.

Me këtë rast, kryetarja e Degës së PVD-së në Preshevë Ardita Sinani ka uruar anëtarët dhe simpatizantët e vet.

“Në përvjetorin e 34-të të themelimit të Partisë për Veprim Demokratik, e cila edhe sot mban primatin si organizimi i vetëm politik i shtrirë në tri komunat e Luginës së Preshevës, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj çdo anëtari, aktivisti, mbështetësi dhe udhëheqësi që ka kontribuar në këtë rrugëtim që nga themelimi e deri më sot.

Me veçanti falënderoj secilin votues, që nga themelimi e deri në vazhdimësi, kanë besuar në ne dhe na kanë mundësuar që t’i përfaqësojmë dhe udhëheqim në këtë udhë të përbashkët.

Në këtë përvjetor të 34-të, le të kujtojmë me respekt të gjithë ata anëtarë, aktivistë dhe mbështetës që nuk janë më në mesin tonë.

Po ashtu, të nderojmë guximin e themeluesve të PVD-së, të cilët në kohërat më të vështira të regjimit, patën kurajën të krijojnë një organizim politik që tuboi shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Subjekti ynë ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm kundër politikave shtetërore të përjashtimit, shkeljes së të drejtave, dhe për t’i dhënë zë të drejtave të shqiptarëve të Luginës.

Tre dekada e më shumë angazhim me beteja të pandalura politike na bëjnë sot krenarë çdo anëtar të Partisë për Veprim Demokratik.

Partia për Veprim Demokratik vazhdon të jetë forca që prinë në betejat politike për përfaqësim të denjë të shqiptarëve, për çështjet e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave, punësimin e të rinjve, për ruajtjen e simbolit kombëtar dhe përdorimin e librave në gjuhën amtare.

Dyert e PVD-së kanë qenë gjithmonë të hapura për çdo të ri dhe të re që ka ambicie për angazhim të mirëfilltë.

Në këtë përvjetor të 34-të, shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë ata me vullnet për të kontribuar në zhvillimin dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Le të punojmë së bashku për një të ardhme më të ndritur dhe më të begatë për të gjithë.

URIME 34 VJETORI I PARTISË PËR VEPRIM DEMOKRATIK!” ka shkruar Ardita Sinani.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb