Vera e sivjetshme ishte e mbushur me akte të shumta kriminale. Nga zjarrvëniet, tek plagosjet dhe vrasjet gjakftohta në rrugë, lokale, zona të banuara, plazhe etj.

Krimi duket sikur ka pushtuar qytetet dhe fshatrat, zonat turistike dhe ato malore. Çdo ditë dëgjohen dhe raportohen krime të llojeve të ndryshme, akte të rënda që kanë lidhje me pronën, familjen, fyerjet e çastit, inatet e vjetra dhe shkaqe të tjera banale.

Trupa e Policisë së Shtetit, herë del me njoftime specifike, herë me deklarata që dënojnë median për “sajesa të rrezikshme që dëmtojnë hetimin e krimit të ndodhur”, pastaj nis betejën e shkresave me organet e hetimit. Nga ana e saj Prokuroria, vepron sikur të ishte autonome, dhe e pavarur nga puna e uniformave blu. Një mish-mash, që pastaj edhe gjykatat nuk janë në gjendje ta ndajnë ligjërisht fajtorin nga viktima.

Ku po shkojmë me këto krime, me këtë valë dhe numër krimesh që po trondisin opinionin? E vetmja mbetet media, ajo që njofton në kohë reale qytetarët mbi aktet kriminale, aksidentet, vrasjet, plagosjet, sherret mes lagjeve dhe qyteteve, mes të rinjve dhe adoleshentëve. Ashtu siç është e vetmja policia që vjen e fundit, mbledh gëzhojat, nis hetimin çika-çika, dërgon në Prokurori faktet e mbledhura dhe kaq.

Por pa mbushur 24 orë nga krimi i mëparshëm, ja plas koburja në Velipojë, në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Bulqizë etj. Qytetarët pyesin, ruhen, bëjnë komente dhe vlerësime. Ata duan nga Policia e Shtetit, të jetë e kudogjendur, të jetë më efikase, më e gatshme të ndeshet me kriminelët, me “të fortët” që ecin me 180 km-orë mes qyteteve, madje dhe autostradave, kërkojnë që në pallatin, lagjen dhe qytetin e tyre të identifikohen nga policët e zonave elementët kriminalë, dhe të arrestohen.

Por fatkeqësisht ndodh shpesh e kundërta. Polici i paguar nga taksat tona, e ka më të lehtë të gjobisë, ndalojë dhe arrestojë ndonjë qytetar të thjeshtë, se një “të fortë”. Ka akoma dhe sot në komisariatet e vendit, apo dhe prokurorira, policë dhe prokurorë të korruptuar, të lidhur me bandat kriminale, me trafikantët, që sabotojnë aksionet e Policisë Shtetit, që marrin rroga nga kriminalët. Ky është skandal.

Policia e Shtetit, KLP, SPAK-u, duhet të ndalen dhe godasin pa mëshirë, elementë të tillë që marrin rrogë në shtet, dhe paguhen edhe nga krimi. Qytetarët duan qetësinë, sigurinë në rrugë dhe shkolla, pasi ndjehen të frikësuar.

Krimineli del në rrugë, lokale, qendra qytetesh, dhe shkreh kallashin apo koburen ndaj “hasmit tij”, pa pyetur se aty ka, dhe kalojnë burra, gra, dhe fëmijë të pafajshëm. Koha nuk pret.

Policia e Shtetit duhet të vetëpastrohet, dhe të nisë goditjen fatale ndaj krimit, ndryshe do të ndjehet e gjunjëzuar para tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb