Policia në Gjermani është në kërkim të një personi, ende të paidentifikuar, lidhur me sulmin masiv me thikë, gjatë një festivali, të premten mbrëma, ku mbetën viktima tre persona dhe u plagosën tetë të tjerë, 5 prej tyre rëndë.

Viktimat janë një grua dhe dy burra, nga Solingeni dhe Dyseldorfi.

Sulmi me thikë ndodhi ndërsa mijëra njerëz u mblodhën në sheshin qendror në qytetin Solingen në perëndim të vendit gjatë festimeve për të shënuar 650-vjetorin e saj, të cilësuar si një festival i diversitetit.

Askush nuk është arrestuar dhe policia tha se kishte angazhuar një “kontigjent të madh” duke përfshirë një helikopter për të kërkuar për sulmuesin mashkull që u largua nga vendi i ngjarjes.

Policia nuk pranoi të diskutojë një motiv të mundshëm apo të spekulojë për identitetin e të dyshuarit.

Capture.jpg2
Capture.jpg2

Të shtunën, policia tha se ishte ende në kërkim të sulmuesit të panjohur dhe tha se numri i të plagosurve rëndë ishte rritur nga katër në pesë. “Të plagosurit dhe dëshmitarët janë duke u marrë në pyetje. Aktualisht policia është vënë në kërkim të autorit me një ekip të madh”, tha policia.

Një dëshmitar i tha gazetës lokale Solinger Tageblatt të premten mbrëma se ai ishte pak metra nga sulmi, jo shumë larg nga një skenë me muzikë live, dhe “kuptoi nga shprehja në fytyrën e këngëtarit se diçka nuk shkonte”.

“Dhe më pas, një metër larg meje, një person ra”, u shpreh Lars Breitzke, i cili në fillim mendoi se ishte dikush që ishte i dehur. Por kur u kthye, pa njerëz të tjerë të shtrirë në tokë dhe disa pellgje gjaku.

Të premten mbrëma, ministri federal i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, tha se shpresonte se “skuadrat e shpëtimit mund të shpëtonin të plagosurit që janë ende gjallë dhe se policia mund të kapte autorin frikacak dhe patetik”.

Kryeministri rajonal Hendrik Wüst, i cili mbërriti në vendngjarje herët të shtunën, postoi më herët në X se “e gjithë Rhine-Westfalia qëndron me njerëzit në Solingen, mbi të gjitha me viktimat dhe familjet e tyre”.

Capture
Capture

Rreth 10,000 njerëz morën pjesë në festime, shumë prej të cilëve u mblodhën rreth një skene me muzikë live në sheshin e tregut Fronhof në qendër të qytetit.

Shumica e të plagosurve besohet se janë sulmuar drejtpërdrejt përpara skenës, raportoi e përditshmja Bild, duke shtuar se njeriu dukej se synonte fytin e viktimave të tij.

Një zëdhënës i policisë tha se shërbimet e urgjencës kishin marrë disa telefonata rreth orës 21:30 me dëshmitarët që raportuan se “një person i panjohur i armatosur me thikë plagosi disa njerëz në mënyrë të rastësishme”.

“Shumë dëshmitarë janë në gjendje shoku dhe po japin deklaratat e tyre”, tha zëdhënësi. “Shpresojmë të marrim informacion për sulmuesin, veçanërisht pamjen e tij, në mënyrë që të mund ta identifikojmë dhe ndalojmë”

Policia krijoi një faqe interneti për njerëzit që të dërgojnë pamjet ose informacionet rreth sulmit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: