Presidenti i entitetit të BiH, Republika Srpska (RS) Milorad Dodik foli sot në Striçiçi afër Banja Lukës për ‘unitetin e popullit serb’ dhe përsëri dërgoi mesazhe për pavarësinë e entitetit. Dodik përsëri injoroi paralajmërimet që vinin nga Ambasada e SHBA në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai thotë se të gjithë ata që janë mbledhur sot në fshatin ngjitur me Banja Lukën me rastin e mbajtjes së programit kulturo-artistik “Forca e Unitetit” nuk do të heqin dorë nga idetë që kanë.

“Ata janë të njohur dhe ju nuk do të na ndaloni me historinë se kemi ndonjë retorikë të keqe, apo se po flasim për të kaluarën. Hidheni atë të kaluar. Bosnja nuk është identiteti ynë, identiteti ynë është Republika Srpska dhe Serbia. Identiteti ynë nuk mund dhe nuk duhet të jetë kurrë Bosnja. Nëse prekni pronën tonë dhe nëse ju shkon ndërmend se jeni të fortë dhe se keni vendosur që kjo tokë i përket Bosnjës, Srpska do të marrë një vendim për pavarësinë”, tha Dodik.

Më tej ai tha se nëse autoritetet e entitetit të RS marrin një vendim të tillë, as drejtori i CIA-s nuk do t’i ndihmojë ata që e kundërshtojnë.

“Ne duhet të fokusohemi dhe të mblidhemi në një kohë që është globalisht e vështirë. Vetëm një popull i bashkuar dhe i unifikuar mund të presë në kohë të paqëndrueshme për zgjidhje që sjellin gjëra të mëdha dhe të realizojmë interesat tona. Ne duhet ta mbrojmë Republikën e Serbisë të bashkuar. Nuk kemi mënyra të tjera për të mbijetuar këtë herë.

Qëllimi ynë është të lidhemi sa më shumë me Serbinë. Ne jemi një komb unik. Deklarata jonë e miratuar thotë se nuk ka boshnjakë, kroatë dhe serbë, por serbë. Deklarata serbe është dokumenti më i fuqishëm i historisë së fundit politike serbe”, tha Dodik./Klix/

(d.xh-Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb