Alarmi i javës së kaluar në një bazë të NATO-s në Gjermani që strehon flotën e avionëve vëzhgues AWACS të aleancës perëndimore, ishte për shkak të një kërcënimi të mundshëm me dron, ka thënë për Reuters një burim sigurie të hënën.

Baza ajrore Geilenkirchen në Gjermaninë perëndimore pati gjatë pjesës më të madhe të së premtes  nivelin e saj të sigurisë në “Charlie”, e dyta më e larta nga katër ekzistuese.

Agjencia gjermane e lajmeve dpa, duke cituar burime sigurie, ka raportuar se kishte pasur një informacion nga një shërbim inteligjent i huaj për një akt të mundshëm sabotimi rus.

Por burimi i sigurisë i ka thënë Reuters se asnjë dron nuk ishte parë dhe nuk mund të konfirmonte asnjë provë për një rol rus në këtë çështje.

“Fjala Rusi nuk u përmend kurrë. Ne folëm për një kërcënim të shkaktuar nga dronët”, ka thënë një zëdhënës i NATO-s në Geilenkirchen.

Forcat perëndimore janë në gatishmëri të lartë mes raporteve të përhapura nga shërbimet e inteligjencës dhe mediat perëndimore për akte të mundshme sabotuese ruse kundër kombeve që mbështesin Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

Rusia, e cila nisi luftën në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, ka hedhur poshtë pohimet dhe akuzon Perëndimin për agresion ndaj saj.

Javën e kaluar, baza Geilenkirchen kishte ngritur nivelin e sigurisë po ashtu pasi një bazë ushtarake aty pranë ishte mbyllur përkohësisht derisa po hetohej sabotimi i mundshëm i furnizimit me ujë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: