Shtetet e Bashkuara po punojnë me Kinën që të sigurohen që gara mes dy shteteve të mos shndërrohet në konflikt, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë më 27 gusht, teksa të dyja palët nisën bisedimet mbi raportet mes tyre që janë testuar gjatë presidencës së Joe Bidenit.

Jake Sullivan, këshilltar i sigurisë kombëtare në SHBA, do të zhvillojë takime dyditore me Wang Yi, zyrtarin e lartë të politikës së jashtme të liderit kinez Xi Jinping, në periferi të Pekinit.

“Presidenti Biden ka qenë shumë i qartë në bisedat e tij me presidentin Xi se ai është i përkushtuar për të menaxhuar këtë raport të rëndësishëm”, tha Sullivan për mediat para nisjes së takimeve.

Qëllimi i vizitës së tij është që të mbahet komunikimi në raportet mes dy shteteve që u prishën më 2022-23 dhe raportet janë përmirësuar vetëm pak muaj më vonë.

Nuk pritet që të ketë ndonjë njoftim të rëndësishëm nga këto takime, por takimet e Sullivanit mund të shtrojnë rrugën për mbajtjen e një samiti final mes liderit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit amerikan, Joe Biden, para se presidentit amerikan t’i përfundojë mandati në janar.

Wang, drejtor i Zyrës Qendrore të Komisionit për Punë të Jashtme të Partisë Komuniste, tha se raportet Kinë-SHBA në vitet e fundit kanë pasur ulje-ngritje.

“Çelësi është që të mbahet respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi që u shkon për shtat të dyja palëve”, tha ai.

Administrata Biden ka pasur qëndrim të ashpër ndaj Kinës, të cilën e sheh si konkurrente strategjike, duke kufizuar qasjen e kompanive të saj në teknologjinë e avancuar dhe ka kundërshtuar fuqinë në rritje, teksa synon të ushtrojë ndikim mbi Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: