Prokurori i Posaçëm Jack Smith ngriti një aktpadi të re të martën kundër ish-Presidentit Donald Trump, lidhur me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Aktpadia përmban të njëjtat akuza penale, por të modifikuara, për t’iu përshtatur opinionit të Gjykatës së Lartë, që i jep imunitet të gjerë ish-presidentëve për veprimet e tyre gjatë ushtrimit të detyrës. Gjykata prej 9 anëtarësh mori vendim me 6 vota pro dhe 3 kundër.
Në aktpadinë e re është hequr pjesa e akuzës, sipas së cilës zoti Trump u përpoq të përdorte Departamentin e Drejtësisë për të përmbysur rezultatin, një fushë veprimi, për të cilën Gjykata e Lartë, në opinionin e saj të muajit të kaluar, shprehet se zoti Trump është absolutisht imun nga ndjekja penale.
Çështja penale, e zhveshur nga disa prej pretendimeve të mëparshme, përfaqëson një përpjekje të parë të prokurorëve për të respektuar opinionin e Gjykatës së Lartë, që ka të ngjarë të rezultojë në një rishikim të konsiderueshëm të akuzave kundër zotit Trump, lidhur me përpjekjet e tij për të bllokuar transferimin paqësor të pushtetit.
Aktakuza e re u paraqit tre ditë përpara skadimit të afatit të vendosur nga gjykatësja e çështjes Tanya Chutkan.
Palët do të rikthehen në gjykatë për një seancë dëgjimore javën e ardhshme. Kjo do të shënojë rifillimin e çështjes që ishte pezulluar që nga dhjetori, në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin e presidentit.
Në në platformën e tij sociale “Truth Social”, zoti Trump e quajti aktpadinë e re “një shenjë dëshpërimi” dhe “një përpjekje për të ringjallur një gjueti të vdekur shtrigash”, siç u shpreh ai.
Ish-presidenti shtoi se padia e re përmban “të gjitha problemet e aktakuzës së vjetër dhe duhet hedhur poshtë menjëherë”.
Zyra e prokurorit të posaçëm tha se aktakuza e përditësuar “pasqyron përpjekjet e qeverisë për të respektuar dhe zbatuar kërkesat e Gjykatës së Lartë”.
Thelbi i rishikimit të aktpadisë qëndron tek marrëdhëniet e zotit Trump me Departamentin e Drejtësisë.
Në aktpadinë origjinale, përfshihej akuza se zoti Trump ishte përpjekur të angazhonte Departamentin e Drejtësisë në përpjekjen e tij të dështuar për të ppërmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
Përpjekjet përfshinin kryerjen e hetimeve të rreme dhe dhënien e informacioneve të rreme për zyrtarët e shteteve – sipas të cilave, ishin zbuluar manipulime të mëdha në zgjedhje.
Në aktpadi jepeshin hollësi se si Jeffrey Clark, një zyrtar i lartë në Departamentin e Drejtësisë, donte t’u dërgonte një letër zyrtarëve të shteteve të caktuara, duke pretenduar në mënyrë të rreme se departamenti kishte “zbuluar probleme thelbësore, që mund të kishin ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve”.
Ai u kishte kërkuar gjithashtu disa zyrtarëve kryesorë të këtij departamenti ta nënshkruanin letrën, por ata kishin refuzuar.