Pas 4 futbollistëve të Spartës së Paragës, Laçi, Tuci, Krasniqi dhe Rrahmani një tjetër sulmues shqiptar siguroi mbrëmjen e së mërkurës një “biletë” për në grupet e Champions-it.
Bëhet fjalë për futbollistin e Kombëtares, Arbër Hoxha, që është pjesë e Dinamos së Zagrebit. Skuadra e tij triumfoi me rezultatin 0-2 ndaj Karabakut të Redon Xhixhës. Kroatët kishin triumfuar edhe në shtëpi me rezultatin 3-0, duke bërë që rezultati i përgjithshëm të shkonte në 5-0.
Arbër Hoxha u aktivizua në minutën e 84-t të sfidës, ndërkohë që Redon Xhixha e ndoqi duelin nga stoli.
Ndërkohë në mbrëmje u zhvilluan edhe tre duelet e fundit, të sfidave të kthimit të raundit të Play-Off-it
Pas Dinamo Zagrebit, në festë edhe Crvena Zvezda e Piter Olainkës, që mposhti me rezultatin 2-0 Bodo Glimt, duke përmbysur kështu disavantazhin e ndeshjes së zhvilluar në Norvegji.
Slovan Bratislava triumfoi 3-2 ndaj Midtjuland, me sllovakët që e shohin veten në grupet e kompeticionit më të rëndësishëm për klube, për shkak se ndeshja e pare në Danimarkë kishte përfunduar në shifrat 1-1 Për herë të parë Slovan Bratislava shkon në fazën finale të Champions league.
Skuadra tjetër e kualifikuar ishte Lila e Edon Zhegrovës. Edhe pse u mposht me rezultatin 2-1 nga Slavia e Pragës, skuadra franceze arriti të kualifikohej, falë triumfit 2-0 në ndeshjen e parë. Hero në këtë mbrëmje ishte Edon Zhegrova që në minutën e 77-të shënoi golin për Lilën, një gol që solli kualifikimin.