I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, nëse palët nuk angazhohen në dialog dhe vazhdojnë të bëjnë veprime të pakoordinuara e të ngutshme. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, që po mbahet në Pragë, Lajçak e ka pranuar se nuk është bërë mjaftueshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur mes palëve vitin e kaluar, por marrëveshje më e mirë nuk mund të arrihet dhe se palët duhet ta kuptojnë që përparimi në dialog është thellësisht i lidhur me rrugën e tyre drejt BE-së. “Nëse më pyesni mua, problemi është se dy shoqëritë [në Kosovë dhe në Serbi] nuk janë gati për normalizim”, ka theksuar ai.

I pyetur se si duhet të përfundojë dialogu, edhe nëse duhet të përfshihet njohja reciproke, ai ka thënë se u takon palëve të vendosin në atë aspekt. Ai ka folur edhe për sulmin në Banjskë dhe akuzat që i janë bërë nga zyrtarë të Kosovës për qasje të padrejtë ndaj vendit.

Z. Lajçak, ju jeni afër fundit të mandatit si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Shumica, përfshirë edhe vetë BE-në, thonë se është bërë pak dhe disa thonë edhe se dialogu ka dështuar, ka vdekur. Çfarë shkoi keq?

Mirosllav Lajçak: Dialogu është vendimtar për Kosovën dhe Serbinë, nëse e kanë seriozisht për aspiratat e tyre evropiane, sepse Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë që para se të shqyrtohen seriozisht për pranim [në BE], ata duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet. Kështu që nuk ka asnjë rrugë përreth kësaj. Kjo është një gjë.

Së dyti, Bashkimi Evropian është ndërmjetësues i këtij procesi, por procesi është nën pronësi të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë. Ne po e bëjmë më të mirën tonë për t’i ndihmuar ato në normalizimin e marrëdhënieve, por duhet të them që shpejtësia e procesit dhe rezultati i procesit nuk varen nga Bashkimi Evropian, por nga palët.

Kur shikoj prapa te mandati im, ka pasur rezultate konkrete, si: njohja e dokumenteve të identifikimit, njohja e targave, marrëveshja shumë e rëndësishme multimilionëshe për energji. Që nga fillimi i këtij viti, ne e kemi një situatë standarde ku njerëzit janë të regjistruar dhe ata paguajnë për energjinë, energjinë elektrike që konsumojnë.

Por, natyrisht, arritja më e rëndësishme është marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, që u arrit dhe për të cilën u arrit pajtim vitin e kaluar në Ohër. Me këtë marrëveshje, nuk ka më nevojë për negociata, por për zbatim.

Dhe, po, fatkeqësisht, zbatimi nuk ka nisur seriozisht. Janë bërë disa gjëra, por natyrisht që marsin e vitit të kaluar në Ohër unë prisja që do të kishim më shumë sukses. Pse nuk po ndodh kjo? Mos e pyesni ndërmjetësuesin, pyetini palët.

Por, natyrisht, ata duhet ta bëjnë pjesën e tyre. Dhe, nëse nuk dëshiron ta bësh pjesën tënde, atëherë kërkon justifikime. Por, asgjë nuk i pengon as Kosovën e as Serbinë që ta bëjnë atë për të cilën janë zotuar në Ohër. Dhe, është e shkruar qartësisht… ky dokument është publik.

Përsëri, nëse më pyesni mua, problemi është se të dyja shoqëritë nuk janë gati për normalizim. Nuk shoh ndonjë shtyrje nga brenda, nga partitë politike, nga akademia, nga shoqëria civile, që të kërkojnë që udhëheqësit të bëjnë përparim drejt normalizimit. Përkundrazi, sa herë që ka një marrëveshje, ka më shumë kritika se janë bërë lëshime. Udhëheqësit nuk inkurajohen të bëjnë përparim drejt normalizimit.

Pra, duhet të punojmë për ta ndryshuar mendësinë. Njerëzit duhet ta kuptojnë se normalizimi nënkupton kompromis. Normalizimi nënkupton fitim të ndërsjellë. Normalizimi nënkupton që marrëveshja të mund t’i prezantohet publikut dhe parlamenteve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Për aq kohë sa jetoni në iluzione se kjo është një fitore për njërën dhe një humbje për tjetrën, nuk do të ketë përparim. Por, nëse nuk do të ketë përparim drejt normalizimit, nuk do të ketë përparim drejt integrimit evropian. Gjithçka tjetër është një iluzion dhe lajthitje.

Por, ju thatë se të dyja palët nuk janë gati dhe nuk janë të gatshme për ta arritur normalizimin. Pra, duket se e dimë problemin. Atëherë, çfarë duhet të bëjë udhëheqësia e re e BE-së? A duhet t’i ndryshojnë taktikat, prioritetet, pasi që ju jeni ndërmjetësuesi? A mund të bëni më shumë për t’i bindur ata?

Mirosllav Lajçak: Shiko, parametrat bazë nuk do të ndryshojnë. Parametrat bazë të këtij procesi janë të njohura mirë. Dhe natyrisht, këtu përfshihet fakti që komuniteti serb në Kosovë duhet të jetë në gjendje ta ruajë identitetin e vet, të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur, të ketë marrëdhënie institucionale me Serbinë në përputhje me standardet evropiane dhe brenda kornizës ligjore të Kosovës. Le të jemi shumë të qartë për këtë. Dhe, në këmbim, Serbia duhet t’i përmbushë të gjitha elementet e normalizimit të marrëdhënieve.

Kështu që, kjo nuk mund të ndryshojë. Dhe përsëri, nuk mendoj që do të ketë një marrëveshje të re. Sepse nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë, dikush do ta kishte propozuar. Janë mendjet më të ndritura që kanë punuar për këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara, nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti nga Gjermania, Franca dhe Italia.

Pra, është përsëri një iluzion të besosh se me përfaqësuesin e ri të Lartë [të BE-së], papritur do të ketë një proces të ri. Parametrat kryesorë nuk do të ndryshojnë. Dhe për këtë arsye, pacta sunt servanda – ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet – është parimi bazë. Dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mirë.

Ju përmendët se për sa u përket serbëve të Kosovës, të drejtat e tyre duhet të respektohen. Çfarë prisni si prioritet nga ana tjetër? Gjithashtu përmendët kompromise. Cilat janë dy kompromiset më të mëdha që secila palë duhet t’i bëjë?

Mirosllav Lajçak: Shiko, gjithçka është në marrëveshje. Kjo do të thotë se Serbia zotohet t’i njohë simbolet, dokumentet, institucionet e Kosovës. Ka një marrëveshje për shkëmbimin e misioneve. Ka një marrëveshje për të mos e penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pra, lexoni marrëveshjen dhe gjithçka është aty.

Dhe, siç thashë, asgjë nuk i pengon palët ta bëjnë pjesën e tyre, përveç që ka shumë pak besim midis tyre. Fatkeqësisht, mandati im ka qenë ndoshta më shumë i përkushtuar ndaj menaxhimit të krizave sesa promovimit të normalizimit.

Por, një element i rëndësishëm që do ta theksoj, natyrisht, edhe për pasardhësin tim dhe për përfaqësuesin e ri të Lartë, është që ky proces duhet të jetë i lidhur dukshëm dhe drejtpërdrejt me integrimin evropian. Sepse në të kaluarën, kur palët e dinin se një përparim drejt normalizimit do të sillte gjithashtu përparim të dukshëm në rrugën drejt BE-së, ky ishte një motivim shumë i fortë.

A po punoni për një takim të ri të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Mirosllav Lajçak: Aktualisht, jemi duke përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh. Dhe, ne jemi gjithmonë të gatshëm për këtë. Duhet të ketë agjendë, duhet të ketë gatishmëri. Tani për tani, hapi i radhës është takimi i kryenegociatorëve.

Si duhet të përfundojë dialogu? Cila duhet të jetë marrëveshja përfundimtare ndërmjet dy palëve?

Mirosllav Lajçak: Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, në rolin tim aktual, mundem vetëm të përdor gjuhën zyrtare të Bashkimit Evropian, që dialogu duhet të përfundojë me marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e mbetura dhe do t’i hapte rrugë të ardhmes evropiane.

Ju pyeta, sepse në fillim thuhej gjerësisht se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke. Por, me kalimin e kohës, kjo disi u la në hije. A duhet të përfundojë dialogu me njohje reciproke?

Mirosllav Lajçak: Qëndrimi i Bashkimit Evropian nuk ka ndryshuar. Dhe, po ashtu, Bashkimi Evropian thotë se u takon dy palëve të vendosin se cili do të jetë fundi. Ne nuk po imponojmë, nuk po diktojmë. Por, sigurisht, i kemi pritjet tona. Dhe, kur unë përmend marrëveshjen ligjërisht obliguese, kjo flet shumë, po ashtu. Por, nuk jemi aty dhe sigurisht se do të ishte gabim diplomatik imi të thosha se si e shoh fundin e procesit. Jam këtu t’u ndihmoj palëve të arrijnë marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Lajçak, Bashkimi Evropian dhe ju vetë jeni akuzuar nga udhëheqësit e Kosovës për qëndrim jo fer ndaj vendit. Si e komentoni këtë?

Mirosllav Lajçak: Unë jam mjaftueshëm gjatë në këtë punë për t’i ditur të gjitha këto lojëra. Pikë së pari, sulmet personale nuk janë mënyrë evropiane. Ne nuk e bëjmë këtë në Evropë. Duhet t’i shohësh çështjet.

E dyta, ajo që kërkohet nga Kosova, sipas Marrëveshjes së Ohrit, është diçka për të cilën Kosova tashmë është zotuar ta bëjë më 2013, dhe madje e ka ratifikuar në Parlament. Më tregoni, pra, se si një gjë e tillë është jo fer.

Nëse mendoni se mund të merrni gjithçka falas, atëherë sigurisht se kur ju kërkohet ta kryeni pjesën tuaj, mund t’ju duket e padrejtë. Por, në jetën reale, mes të rriturve, duhet të japësh që të marrësh. Të dyja palët. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund të arrish marrëveshje. Dhe, sulmet personale nuk do të ndihmojnë, sepse ato, në fakt, diskreditojnë njerëzit që sulmojnë.

A shihni ndonjë rrezik të destabilizimit në Ballkan, nëse dialogu vazhdon me ritmin aktual dhe të dyja palët vazhdojnë të bëjnë ata që ju i konsideroni hapa të njëanshëm?

Mirosllav Lajçak: Po. Sepse, ose do të kemi normalizim, që do të sillte stabilitet, do t’i hapte rrugën bashkëpunimit rajonal, i cili po ngec aktualisht, ose do të vazhdojmë me veprime të pakoordinuara, me veprime të ngutshme, të cilat prapë s’janë të koordinuara, dhe mund të bëhen armiqësore apo edhe të dhunshme. Dhe, mund të ngelemi të zënë për shumë vite me këtë përsëritje, do të thosha unë, të shpërthimeve [të situatave] destabilizuese.

Kjo, sigurisht, ia pamundëson rajonit të përparojë në rrugën evropiane. Prandaj, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është vetëm çështje e tyre. Është çështje rajonale dhe evropiane, madje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një intervistë në gjuhën angleze për Radion Evropa e Lirë se konsideron se Serbia tashmë është tërhequr nga Marrëveshja Bazë. Prandaj, nëse Kosovës i kërkohet prapë ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ajo duhet të ulet dhe të flasë me aleatët e saj për të kërkuar garanci të sigurisë. Sa realiste është kjo?

Mirosllav Lajçak: Serbia nuk është tërhequr nga Marrëveshja. Ajo vazhdon të jetë ligjërisht obliguese dhe e vlefshme në tërësinë e saj. Bashkimi Evropian e ka thënë këtë shumë herë. Dhe, po ashtu, të gjitha obligimet e Serbisë sipas Marrëveshjes tashmë janë inkorporuar në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Pra, ato janë, po ashtu, ligjërisht obliguese ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Kësisoj, nuk ka nevojë për qasje alternative. Unë mendoj se presidenti [francez, Emmanuel] Macron e tha shumë qartë dje [në Beograd]. Rruga është e shtruar. Dhe, rruga është Marrëveshja e Ohrit. Ai tha se Serbia ka një vend në Evropë. Por, ai, po ashtu, kritikoi Kosovën për… Po i referohem pjesës që lidhet me dialogun. Ai e bëri shumë të qartë se e mbështet plotësisht Marrëveshjen e Ohrit. Franca ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe aktiv. Dhe, e dyta, nuk ka alternativë ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo ishte, mendoj unë, shumë e qartë nga ajo që tha ai. Dhe, pjesën tjetër po ua lë të tjerëve ta komentojnë.

I dërguari i ri amerikan për Ballkanin, Alexander “Sasha” Kasanof do të marrë pjesë në forumin Globsec. A do ta takoni? A e keni kontaktuar?

Mirosllav Lajçak: Natyrisht. E kemi kontaktuar nëpërmjet telefonit. Por, do të takohemi për herë të parë këtu personalisht në Pragë, në Globsec.

Edhe disa liderë të Ballkanit Perëndimor pritet të vijnë këtu. A do të takoheni me ta? A keni diçka të planifikuar?

Mirosllav Lajçak: Unë gjithmonë takohem me ta. Për mua Globsec-u është konferenca e dytë prej tri të tillave që po organizohen në këtë kohë. Isha në Alpbach. Tani jam në Globsec. Do të jem në Bled javën tjetër. Në secilën prej këtyre konferencave kam shumë takime me liderë të Ballkanit, dhe këtë e kam bërë përgjatë viteve. Është gjithmonë mundësi e mirë për t’u takuar dhe të biseduar për çështjet aktuale.

Do ta ndryshojmë pak temën. Kosova thotë vazhdimisht që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është prapa sulmit në Banjskë. Si e komentoni?

Mirosllav Lajçak: Agjencitë e sigurisë tashmë i kanë bërë deklaratat e tyre dhe unë vetëm mund të përsëris atë që kanë thënë. Natyrisht që ka qenë diçka shumë e tmerrshme dhe shumë e rrezikshme. Dhe, ka ndryshuar shumë gjëra në dinamikat rajonale. Pozicioni i Bashkimit Evropian është që gjithçka duhet të hetohet siç duhet dhe personat që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi.

A ka bërë mjaftueshëm Serbia për t’i gjykuar ata që kanë qenë përgjegjës për sulmin në Banjskë, përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili është i lirë dhe besohet se është në Serbi?

Mirosllav Lajçak: Qartazi nuk mund të thuhet se është bërë mjaftueshëm kur njerëzit që janë përgjegjës, duke nisur me Millan Radoiçiqin, që e ka pranuar përgjegjësinë, nuk është përballur ende me drejtësinë. Natyrisht se askush nuk mund të thotë se është bërë mjaftueshëm. E përsërisim që ai duhet të mbahet përgjegjës për atë që ka bërë.

Pse BE-ja nuk i ka larguar ende masat ndaj Kosovës?

Mirosllav Lajçak: Kjo është në dorë të vendeve anëtare. Vendet anëtare e kanë marrë vendimin për t’i vendosur masat dhe vendet anëtare tani janë duke diskutuar çfarë të bëjnë me masat. Kjo nuk është çështje e dialogut. Dinamika e vendeve anëtare është që duhet pasur konsensus të 27 vendeve anëtare.

E kuptoj, por ne kemi dëgjuar prej disa diplomatëve që disa vende janë duke hezituar. A keni mundur të bisedoni me këto vende? Cilat janë dilemat e tyre? Pse nuk po i tërheqin masat?

Mirosllav Lajçak: Pozicionin tim e kam bërë shumë të qartë publikisht. Menjëherë pas Banjskës kam bërë thirrje publike për heqje të masave kundër Kosovës, si gjest i mbështetjes dhe solidaritetit në këtë periudhë të vështirë. Mendoj që e kemi humbur një mundësi të mirë për t’i hequr. Më vonë, siç po e shohim, po bëhet më e komplikuar dhe më e vështirë. Por, është në agjendë të Këshillit dhe vendet anëtare po vazhdojnë të diskutojnë për to.

A do të ketë të dërguar të ri të BE-së për dialogun pasi ta përfundoni mandatin? Kemi dëgjuar prej disa diplomatëve që kjo pozitë nuk do të ekzistojë më dhe që përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme do të merret me dialogun, që do të thotë Kaja Kallas në legjislaturën e ardhshme.

Mirosllav Lajçak: Do të takohem me të dërguarin e ri të BE-së në ditët në vijim dhe do të diskutojmë, natyrisht, për të gjitha në hollësi. E kemi një takim të caktuar. Por, nuk dua të parashikoj rezultatin, porse mund të jem i sigurt që do të ketë të dërguar të BE-së dhe ekipi do të vazhdojë, sepse është vërtetuar se është i rëndësishëm, sidomos për përfaqësuesin e Lartë, sepse përfaqësuesi i Lartë ka shumë punë para vetes. Ballkani dhe procesi i normalizimit kanë nevojë për dikë që është i fokusuar në të dhe e vëzhgon 24/7. Kjo është saktësisht ajo që bëjmë. Puna nuk është kryer ende dhe prandaj duhet të vazhdojë. Unë besoj që duhet të ketë të dërguar të BE-së që e asiston përfaqësuesin e Lartë, derisa të zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo është pozitë shumë e qartë.

Në fund, zgjerimi i BE-së ka ngecur më 2013, dhe Kroacia është e fundit që është anëtarësuar. A do të ndryshojnë dinamikat, apo a duhet të ndryshojnë nën udhëheqësinë e re të BE-së?

Mirosllav Lajçak: Dinamikat kanë ndryshuar tashmë. Fakti që procesi i zgjerimit është ndaluar, është për keqardhje, dhe është gabim i madh që ka kontribuuar në shumë zhvillime negative në rajon.

Bashkimi Evropian e ka kuptuar që ka qenë gabim dhe duhet të jemi më seriozë sa i përket zgjerimit. Paradoksalisht, ky zgjim ndodhi si pasojë e agresionit të [presidentit rus, Vladimir] Putinit kundër Ukrainës, dhe kur BE-ja vendosi të ftojë Ukrainën dhe Moldavinë që t’i bashkohen BE-së. Kjo është mundësi e madhe për Ballkanin. Dera që ka qenë e mbyllur për 10 vjet dhe tani është e hapur. Derën e ka hapur gjeopolitika, por ajo nuk do të garantojë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, i përket secilit shtet të Ballkanit Perëndimor që ta shfrytëzojë këtë mundësi, sa më gjatë që mundet, për ta mbajtur derën të hapur. Ekziston momentum i ri, mirëpo duhet kryer detyrat e shtëpisë, duhet bërë reforma. Është e rëndësishme, sepse në të kaluarën, mund të keni qenë të gatshëm, por dera ka qenë e mbyllur. Tani dera është e hapur. Kjo nënkupton se ata që janë gati dhe të përkushtuar, e kanë këtë mundësi historike./Radio Evropa e Lirë/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: