Faleminderit të gjithëve ju që erdhët e vizituat Shqipërinë gjatë sezonit veror! Diaspora jonë, shqiptarët në çdo vend ku jetojnë e punojnë, janë ambasadorët më të mirë të Kombit. Nuk mund të ketë asnjë dyshim se askush më shumë se ju nuk mund ta mbështesë dhe drejtojë Shqipërinë drejt ëndërrës shqiptare për tu bërë pjesë e familjes europiane, në kuptimin e plotë të fjalës. Shqiptarët që jetojnë jashtë e kanë kryer me kohë integrimin e tyre në shoqëritë e vlerave të përbashkëta demokratike.
Mirëkuptoj ata prej jush, që ashtu si unë, në sajë të shkollimit në Shqipëri e përvojës në vendin tonë amë, keni ndërtuar me sukses karrierat tuaja në vendet perëndimore e në të gjithë botën duke ndërruar faqen e “çdo të thotë të jesh Shqiptar” nëpër botë e që mendojnë se puna duhet të vazhdojë.
Mbase ende nuk kemi arritur nivelet e vendeve ku ju jetoni, por çdo vit i afrohemi perëndimit pak më tepër. Ju jeni “turistët” më besnik të Shqipërisë dhe promovuesit më vizionar të Shqipërisë turistike në vendet ku jeni taksapagues me kohë të plotë Numri në rritje i turistëve të huaj, për të cilin ju kontribuoni shumë, e provon këtë.
Shqipërinë po e bëjmë të gjithë bashkë, ne këtu dhe ju atje që vizitoni shpesh e me mall dhe kontribuoni drejtëpërdrejtë. Përvoja juaj në vende me demokraci më të hershme e zhvillim më të avancuar është e një rëndësie të jashtëzakonshme si dhe një garanci për rrugën e sigurt nëpërmjet investimeve direkte, remitancave dhe kontributeve të tjera.
Vlerësoj me shumë krenari përpjekjet për të krijuar një raport të veçantë, për ta ngritur marrëdhënien e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi në një nivel krejt tjetër. Qasja dhe vizioni i politikës në 10 vitet e fundit krijoi premisat që aq sa është folur dhe diskutuar për Diasporën dhe rolin e saj në 5 vitet e fundit krijoi rrethanat e përshtatshme për miratimin e mundësimit të votes për të gjithë qytetarët shqiptar që punojnë dhe jetojnë jashtë Shqipërisë, nga Anglia në Amerikë, nga Gjermania në Itali, nga Suedia në Zvicër e kudo ku ka shqiptar. Shqipëria dhe demokracia e saj do të jetë më e forte dhe e zhdërvjelltë me votën tuaj.
Shpresoj të keni pushuar mirë e të jeni çmallur me familjarë, miq e të dashur. Ju mirëpresim vitin tjetër sërish e sa here të mundeni, këtë here duke përfshirë edhe “vizitën” virtuale me vote, në Pranverë 2025.