Ndoshta analiza për të qenë më e saktë do të duhej të zhvillohej në lëmin e impaktit që Inteligjenca Artificiale (IA) po shkakton dhe do të vijojë të shkaktojë në fushën e “dijes”, por argumenti do të ishte shumë i gjerë për t’u trajtuar në mënyrë të sintetizuar në platformat mediatike të shkruara, të cilitdo formati qofshin.

Inteligjenca Artificiale është një term/përkufizim mbi të cilin jo të gjithë, ekspertët e fushës, bien dakord për kapacitetin identifikues të funksioneve që fenomeni përfaqëson dhe që instrumenti në fjalë është i aftë të ofrojë, po të mbahet parasysh kuptimi i ngushtë i fjalës “intelligentia” dhe faktit që është historikisht konsideruar si element që dallon njeriun nga speciet e tjera. Përtej përkufizimit apo termit të përdorur, për dikë, gjeneza e saj nis më 1943, me rrjetet e para neurale të Warren Mcculloch dhe Walter Pitt (modelet matematikore të projektuara për të riprodhuar funksionet neurale humane, të trurit të njeriut) e për dikë tjetër nis me Alan Turing 10 vite më pas.

Pra, asgjë nuk ka lindur dje, papritur e pa kuptuar. Pavarësisht të gjithës, aspekti revolucionar i “aksesit në dije” është i prekshëm tashmë në nivel global, falë programeve si ‘ChatGPT’, apo të tjera dhe kur flasim për “akses në dije” nuk mund të shmangim çështjen e impaktit/ndikimit që IA ka dhe do të ketë në botën e edukimit dhe arsimit. Ashtu siç legjislatorët e mbarë botës po nguten të ndërmarrin politika rregullatore dhe ligje për administrimin e përgjegjshëm të fenomenit të IA, që është i destinuar të evoluoje në progresion gjeometrik, po ashtu edhe universitetet, kudo, po bëjnë llogaritë e para me atë që personalisht vlerësoj se do të jetë kthesa më e paparashikueshme dhe e rrezikshme që do të marrë arsimi i lartë në historinë e tij.

Nuk i referohem këtu rrezikut të plagjiaturave në masë dhe çështjeve të natyrës së integritetit akademik apo impaktit/ndikimit të lartë që IA do të ketë edhe në fushën e didaktikës universitare (mësimdhënies e mësimnxënies). I referohem impaktit që IA ka dhe do të vazhdoje të ketë në tregun e punës, në mënyrë eksponenciale dhe të dinamikës me të cilën do të afektojë, së pari, arsimin e lartë në nivel global. Arsimi i lartë është hallka e fundit e sistemit të edukimit dhe finalizuesja e përgatitjes për përballjen me tregun. Për rrjedhojë, e destinuar të reflektojë e para ndryshimet e tij.

Për ta bërë më të thjeshtë po marr si shembull modelin e Renditjes se Universiteteve (University Ranking) që sot kompani prestigjioze në mbarë botën ndërmarrin për të realizuar renditjen e universiteteve në nivel kombëtar, kontinental apo global. Siç është e ditur, modelet janë të ndryshme për shkak të formateve të ndryshme kulturore-politike-sociale, të përkatësisë së operatorëve që i ofrojnë. Modeli anglo-sakson, me në krye atë USA, vlerëson mbi bazën e pak kritereve apo indikatorëve që tregojnë se si dhe sa i çmon tregu universitetet në nivel lokal dhe global.

Indikatorët kryesorë janë: sa kohë nga diplomimi është punësuar studenti, pranë cilës kompani dhe me çfarë page. Ndërkohë, modeli europian si shembull antiteze, merr në vlerësim shumë më tepër indikatorë me natyre sociale, si: numrin e stafit akademik me titull profesor, numrin e kontributeve të tyre shkencore dhe në cilat nivele, numrin e bibliotekave në dispozicion për studentët, hapësirat e gjelbra deri dhe mensat, në shërbim të tyre. Në mënyrë të dukshme lidhjet e këtyre të fundit me tregun dhe nevojat e tij rezultojnë të mangëta/deficitare në finale. Në sistemin anglo-sakson cikli i studimeve universitare Master (MA), lidhet edhe më ngushtë me nevojat e tregut për shkak të interesimit të drejtpërdrejt dhe kontakteve që sipërmarrjet e ndryshme kanë me boten universitare.

Në vitin e fundit të studimeve, ata përzgjedhin paraprakisht, ende pa përfunduar studimet, të punësuarit e tyre të ardhshëm, duke ndërthurur praktikat profesionale (intership-et) me studimet master e për më tepër, duke përditësuar në vazhdim, në këtë mënyre, kurrikulat e programeve Master me nevojat e tyre dinamike, që pasqyrojnë zhvillimet imediate të nevojave të tregut. Aty ku kjo lidhje është më e fortë, edhe impakti po ndihet dhe do të ndihet me akut, kur flitet për atë IA.

Deri tani njeriu ka prodhuar mjete e instrumente në funksion dhe ndihmë të tij. Tani ka arritur në materializimin e instrumenteve në zëvendësim të tij, siç janë ato IA. Në Milano, në vitin e fundit, në 5 ndër studiot më të mëdha ligjore, stafi është reduktuar me 20% prej fillimit të përdorimit të ‘ChatGTP’ dhe programeve të tjera të ngjashme. Kur kjo ndodh në studiot ligjore, me kapacitetet më të larta të analizës dhe sintezës, në një vend si Italia, çfarë do të ndodhë me studiot më të vogla ligjore, ku këto kapacitete mungojnë dhe IA mund t’i ofrojë apo zëvendësojë me çmime gati qesharake.

Si ka ndryshuar dhe po ndryshon tregu, falë saj

Këto pyetje nuk shtrohen vetëm në lidhje me atë pjesë të tregut të shërbimeve, ku impakti IA është më imediat. Ato janë prezente kudo. Ato janë prezente së pari lidhur me impaktin që ka dhe do të ketë kjo mbi mënyrën se si është organizuar sistemi universitar dhe produktit që ofron. Sa më shumë është rritur oferta e formimit autodidakt në treg, nëpërmjet kanaleve mediatike falas, si “Youtube” etj., aq më shumë ka pësuar goditje modeli universitar klasik në këtë drejtim.

Tregu duket gjithnjë e më i orientuar drejt zgjidhjeve të shpejta që u përgjigjen në mënyrë më efikase dinamikave të tregut të punës, ndryshe nga ciklet e gjata të diplomave universitare. Po të marrim në vlerësim botën e teknologjisë, komunikimit (ICT) dhe të punësimit në to, nuk mund të mos konstatojmë numrin e lartë të autodidakteve dhe personave që punësohen në këtë fushë, duke pasur profile të tjera. Kjo, falë pajisjes me licenca specifike, që mundësojnë punësimin pa pasur nevojë detyrimisht për diploma universitare.

Për një moment u duk sikur Universitetet Telematike u programuan pikërisht për këtë qëllim, në mënyrë që të ishin sa më afër nevojave të tregut duke ofruar një format më fleksibël dhe formim “on demande”, të aksesueshëm 24/7, por nuk ka rezultuar ende këeshtu. Platformat e Mësimdhënies/Mësimnxënies Online (E-learning) të fuqizuara nga Inteligjenca Artificiale (IA), janë tashmë sfidat e tyre të radhës. Por sa do t’i avantazhojë kjo Universitetet Telematike në krahasim me ato tradicionale. Mbetet për t’u parë lidhja që këto të fundit do të jenë të afta realizojnë me tregun e punës dhe dinamikat e tij.

Sistemi universitar tradicional është i pari që po preket nga ndryshimet e rrufeshme të gjeneratës së sistemeve operative “Android” e “Apple” dhe aksesit në informacionin e personalizuar që ofrojnë. Siç duket ai nuk po percepton dot ende rrezikun që shfaq në horizont potenciali i formimit autodidakt dhe zgjidhjes/zgjedhjes që ofron Inteligjenca Artificiale (IA). Të dyja, së bashku dhe të ndërthurura, mund të krijojnë pasoja të paprecedenta, për sistemin universitar tradicional, në qoftë se ky i fundit nuk do të dijë të lexojë dhe përshtatë trendet evolutive të tregut të punës me kapacitetet e tij ekzistuese dhe ato që mund të krijohen.

Ndryshe nga sistemi universitar anglo-sakson që ka pasur nder shekuj një lidhje fiziologjike me tregun e punës, ai europian pavarësisht të gjitha strategjive dhe politikave të miratuara nga BE, në këtë drejtim, mbetet ende shumë larg. Kjo, më shumë siguri për karakteristikat e ndryshme kulturore dhe socio-ekonomike që i dallojnë këto sisteme. Ligji për Inteligjencën Artificiale (AI Act) i Parlamentit Europian (qershor 2024) e bëri atë institucionin e parë në botë që miraton akte rregullatore/ligjore mbi IA. Në këtë kuadër, ai ndan në 4 kategori subjektet që ekspozohen/përballen në nivele të ndryshme ndaj rrezikut të IA. Arsimi i Larte katalogohet/renditet në kategorinë e parë të subjekteve me riskun më të lartë të ekspozimit ndaj dëmeve të mundshme nga IA.

Nuk ka më asnjë dyshim se globalizmi në fazën finale të zbatimit të tij, në të cilën vlerësohet se kemi hyrë, po materializon kalimin nga ekonomia e kapitalit dhe e tregut, në ekonominë e dijes dhe informacionit, ku zhvillimi teknologjik po imponon/kushtëzon ritme të paimagjinuara më parë. Më shumë se një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet dijes/universiteteve dhe tregut, siç është modeli anglo-sakson, në horizontin global duket se po projektohet një model konkurrues/kompetitiv ndërmjet tyre, ku tregu në mënyrë instiktive po orientohet/organizohet kundër modelit monopolist të dijes që buron “vetëm” nga sistemi universitar. Deri më tani sharmi që mbulonte boten universitare dhe aksesi i kufizuar në të (për sa kohë ishte i tillë), ka mbajtur të lidhur ëndrrën e ashensorëve sociale me mundësinë e aksesit ndaj elitave.

Rënia e peshës gravitacionale të borgjezisë dhe shtresave të mesme, ka paragjykuar rëndë modelin e ashensorëve socialë që universitetet përfaqësojnë tashmë ndër shekuj. Haptazi tregu po preferon gjithnjë e më shumë zgjidhje praktike e jo teorike. Të shpejta dhe jo ciklike. Të afta t’u përshtaten dinamikave të larta të tij. Në të po spikasin gjithnjë e më shumë alternativat e formimit autodidakte dhe ky realitet nuk mund të mohohet e të anashkalohet, mbi të gjitha nga ata që ju pëlqejnë të koleksionojnë Phd. Sot për shkak të ndryshimit të mënyrave të formimit dhe edukimit “të personalizuar”, sistemi universitar është në krizë të fortë ekzistenciale. Inteligjenca Artificiale (IA) po i shtohet listës së gjatë të instrumenteve në favor të formimit autodidakte të individit, që teknologjia po ofron me eficiencë gjithnjë e më të lartë, duke u vendosur në krye të saj.

Si rrjedhojë, potenciali i saj po shfaqet seriozisht shqetësues për kë është mësuar të shohë në mënyrë tradicionale universitetin si shtëpinë e dijes, djepin e kulturës dhe qytetërimit perëndimor. Pra, sfidat për sistemin universitar janë më të larta se kurrë, edhe pse ndryshime thelbësore sigurisht që nuk do të ndodhin nesër e për sa kohë IA nuk do të zëvendësojë veprimtarinë intelektuale të njeriut në pjesën më të madhe të saj e sidomos në atë vendimmarrëse. Por, do të jenë stimujt (mekanizmat nxitës) që qëndrojnë në bazën e këtyre prirjeve/trendeve, që do të bëjnë ndryshimin dhe tregu ka treguar prej kohësh që është shume i ndjeshëm ndaj tyre dhe se me ta ushqehet në vazhdimësi.

Në qoftë se në botën akademike dominon shprehja, “boto ose largohu” (publish or perish), në situatën aktuale sistemi universitar ndodhet tashmë përballë faktit “përshtatu ose largohu”(conform or perish). Hyrja në treg për përdorimin civil të kompjuterave kuantikë do fuqizojë me miliona apo më shumë herë kapacitetin dhe performimin aktual të Inteligjencës Artificiale (IA) dhe kjo do të ndodhë brenda 2030. Asnjëherë bota universitare nuk ka pasur kaq pak kohë për t’u përshtatur me një ndryshim kaq të madh dhe të pazakonte.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia, shtrohet pyetja se si do të ndikojë kjo situatë në sistemit universitar shqiptar dhe me çfarë shpejtësie. Kjo do të varet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Mbi të gjitha, kjo do të varet nga koeficienti apo niveli i përshtatjes që është element karakteristik i çdo populli/kombi. Pikërisht ky element i fundit e kthen paradoksalisht situatën në avantazh të rrethanave tona. Kapërcimet e mëdha historike dhe kushtet ekstreme të nevojës kanë kultivuar te shqiptarët karakteristika të larta të përshtatjes, në çdo fushë, të ngjashme me atë të popullit hebre.

Në shumë vende të Perëndimit kasta/shtresa akademike ka një influencë të padiskutueshme në sferën politike, gati të barabartë me atë të magjistratëve dhe rezistenca e këtyre kategorive ndaj ndryshimeve të mëdha ka qenë dhe mbetet një element me të cilin Perëndimi ka bërë llogaritë në mënyrë konstante. Për të njëjtën arsye, përshtatjet dhe ndryshimet nuk kane qenë gjithnjë të shpejta. Për të njëjtën arsye, faturat kanë qenë gjithnjë prezente dhe të larta. Ndërkohë tregu i punës, me egzigjencat e tij dinamike, lundron me shpejtësi të ndryshme e me kërkesa gjithnjë e më të larta, falë teknologjisë dhe së fundmi edhe më të shpejta falë IA. Për fat apo jo, mungesa e faturave të tilla na privilegjon në krahasim dhe në këndvështrimin rajonal e global.

Aq sa të avantazhuar jemi në këtë aspekt, aq edhe të dizavantazhuar jemi në kontekstin e brendshëm të konsumimit të teknologjisë dhe të karakteristikave të tregut tonë lokal e kombëtar. Nga ndërthurja e tyre do të mund të shihen shpejt trendet e para të përshtatjes, ndërkohë që debati ende nuk është ngritur në nivelin e nevojshëm akademik. Kush ka mbërritur në fund të këtij artikulli, me siguri pyet veten se çfarë kontributi praktik për sistemin e lartë arsimor shqiptar, mund të sjellin elementet e përcjellë këtu, përtej disa konstatimeve të diskutueshme e të përgjithshme.

Në fakt, artikulli synon të hapë dhe të nxisë një cikël debatesh të nevojshme, në çdo format apo platforme mediatike të mundshme mbi të ardhmen e sistemit të arsimit të lartë në vend dhe sfidat me të cilat do të përballemi në vitet që do vijnë. Me sfidën e Inteligjencës Artificiale (IA), me atë demografike, por edhe me përshtatjen e programeve e mënyrave të mësimdhënies e mësimnxënies në kuadrin e teknologjive të fundit.

Universiteti “Luarasi”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb