Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi këtë të martë një takim me një delegacion nga Moody’s Analytics, të kryesuar nga Domenico Piscitelli, Drejtor i Kërkimeve dhe Politikave për Evropën pranë Moody’s. Në fokus të takimit ishte prezantimi dhe analizimi i situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe diskutimi i mundësive të bashkëpunimit midis dy institucioneve.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive, pavarësisht sfidave të shumta dhe serioze me të cilat është përballur gjatë viteve të fundit. Ai theksoi se Shqipëria gëzon një rritje ekonomike solide, inflacion të ulët dhe nën kontroll, si dhe përmirësim të ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të vendit. Më tej, Guvernatori nënvizoi se përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë do të vijojë edhe në të ardhmen. Më konkretisht, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në afatin e mesëm, me norma të qëndrueshme dhe pranë potencialit, ndërkohë që inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.

Në vijim, Guvernatori shtoi se normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare arriti të vërë inflacionin nën kontroll, duke mos cenuar trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij.

Sejko1
Sejko1

Më tej, Guvernatori informoi përfaqësuesit e Moody’s mbi qëndrueshmërinë e sektorit bankar, i cili paraqet tregues të stabilizuar të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë. Guvernatori theksoi se ky sektor ka vijuar të ofrojë fondet e nevojshme për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Ai u shpreh se Banka e Shqipërisë është e angazhuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit bankar, nëpërmjet garantimit të një rregullimi dhe mbikëqyrjeje të kujdesshme të tij. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ofron gjithë mbështetjen e saj për integrimin evropian dhe ndjekjen me rigorozitet të reformave që imponon ky proces.

Përfaqësuesit e Moody’s vlerësuan progresin e bërë nga Shqipëria gjatë viteve të fundit, si në terma të rritjes ekonomike, ashtu edhe në terma të forcimit të parametrave të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit. Ata nënvizuan se ky progres dëshmon forcimin e kapaciteteve institucionale të vendit në drejtim të hartimit e zbatimit të politikave efektive makroekonomike, por edhe të mbikëqyrjes dhe rregullimit të kujdesshëm të sistemit të saj financiar.

Ata theksuan se integrimi i mëtejshëm i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në sistemin evropian të pagesave do të sjellë përfitime të jashtëzakonshme, por edhe një sërë sfidash në përmirësimin e politikëbërjes, hartimit dhe zbatimit të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator.

Sejko Moodys
Sejko Moodys

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Moody’s”- siç u komunikua më 19 prill 2024 – ka ndryshuar perspektivën e Shqipërisë në “pozitive” nga “e qëndrueshme”, në rishikimin e fundit të publikuar.

Përfaqësuesit e Moody’s u shprehën se mirëpresin mundësinë për të asistuar Bankën e Shqipërisë në përmbushjen e gamës së gjerë të detyrave të politikës monetare, stabilitetit financiar, sistemeve të pagesave dhe mbikëqyrjes financiare. Në vijim, u diskutua mbi fusha konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen, ndër të cilat renditen shkëmbimi i informacionit në interes të rritjes së mëtejshme të cilësisë së vendimmarrjes, forcimin e aftësisë së industrisë financiare për të përballuar goditjet e mundshme që vijnë nga ndryshimi klimatik, si dhe rritjen e aftësisë së vendit për t’u përballur me sulmet e ndryshme kibernetike.

Në mbyllje, Domenico Piscitelli falënderoi përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë për mikpritjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të ofruar gjatë vizitës, duke theksuar se Moody’s ka qenë një partner kyç i bankave qendrore të sistemit të euros, BE-së dhe përtej kufirit evropian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb