Kohët e fundit, sulmet kibernetike shihet se janë përqendruar në goditjen e infrastrukturave kritike, si portet, aeroportet, shërbimet e furnizimit me energji elektrike apo ujë. Ndryshe nga sulmet e mëparshme që ishin kryesisht financiare dhe reputacionale, këto sulme kanë një rreze më të gjerë dhe prekin direkt sigurinë kombëtare, duke mundur të shkaktojnë kolaps në një zinxhir të tërë sistemesh.

Pasojat përfshijnë ndërprerje të shërbimeve jetike dhe dëme ekonomike, duke e bërë sigurinë kibernetike pjesë integrale të mbrojtjes kombëtare. Në këtë kontekst të ri, është e rëndësishme të kuptohet se hapësira kibernetike e një shteti është po aq e rëndësishme sa territori fizik.

Sulmi kibernetik në Aeroportin e Frankfurtit në Dhjetor 2022 është një shembull konkret i këtij fenomeni. Ky sulm preku sistemet IT të aeroportit, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve dhe të sistemit të menaxhimit të bagazheve. Si pasojë, u krijuan vonesa dhe anulime të fluturimeve, probleme logjistike dhe konfuzion ndërmjet udhëtarëve dhe personelit të aeroportit. Një tjetër shembull është sulmi ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ku hakerët goditën sistemet e kontrollit të operatorëve të energjisë elektrike, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë që ndikoi mbi qindra mijëra njerëz.

Sulmet kibernetike krijojnë frikë dhe destabilitet në shoqëri, duke vendosur në pikëpyetje besueshmërinë dhe sigurinë e shumë progreseve teknologjike të arritura ndër vite. Paniku dhe mungesa e besimit janë pasoja të pashmangshme kur infrastruktura kritike preket. Sofistikimi i sulmeve dhe synimi i tyre i ri e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbrojtjen. Këto tendenca kërkojnë që secili punonjës i strukturave kyçe të kuptojë rrezikun e sulmeve kibernetike dhe rëndësinë e
trajnimit të tyre personal në fushën e sigurisë kibernetike.

Në Shqipëri, legjislacioni për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe sigurisë kibernetike është në zhvillim për të përballuar këto sfida. Nëse zhvillimi është i ngadaltë dhe abstrakt, do të jemi të papërgatitur përballë sulmeve kibernetike. Për mbrojtje efektive, kërkohet zbatim rigoroz dhe bashkëpunim ndërinstitucional.

Zbatimi i legjislacionit ekzistues ka njohur raste kur ka qenë thjesht formal dhe i paqartë mbi përgjegjësinë e ndërmarrë në rastet e shkeljeve të ndodhura.

Infrastrukturat kritike tona duhet të jenë në përputhje me standardet dhe rregulloret ndërkombëtare për sigurinë kibernetike, përfshirë direktivat e BE-së dhe standardet e Organizatës Ndërkombëtare për Standardizim (ISO). Institucionet përgjegjëse duhet të zhvillojnë dhe zbatojnë plane të menaxhimit të riskut për të identifikuar, vlerësuar dhe adresuar kërcënimet kibernetike.

Ligji kërkon që të gjitha incidentet kibernetike të raportohen menjëherë te autoritetet përkatëse për të siguruar një përgjigje të shpejtë, efektive dhe gjithëpërfshirëse. Kryerja e auditimeve të rregullta të sigurisë dhe testimeve janë gjithashtu të nevojshme për të identifikuar dhe adresuar dobësitë e mundshme në sistem.

Siguria kibernetike e sistemeve kyçe është një komponent esencial i sigurisë kombëtare në Shqipëri. Për të mbrojtur infrastrukturën kritike nga kërcënimet kibernetike, kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin përputhshmërinë me standardet ligjore, investimin në teknologji të avancuara të sigurisë, edukimin dhe trajnimin e personelit, dhe vendosjen e sigurisë kibernetike në vëmendje reale përsa i përket sigurisë kombëtare. Vetëm duke ndërmarrë këto masa mund të
sigurojmë një mbrojtje efektive të infrastrukturës kritike dhe të garantojmë siguri dhe stabilitet përballë këtyre tendencave të reja të sulmeve kibernetike

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb