Federata Shqiptare e Futbollit mirëpriti për herë të dytë programin “Certificate in Football Managment” (UEFA CFM) në bashkëpunim me UEFA Academy dhe Universitetin e Lozanës.

Pjesëmarrës në kursin e nisur janë punonjës nga klubet shqiptare, pjesëtarë të administratës së FSHF dhe të federatave të tjera europiane. Ky program do të zgjasë 9 muaj dhe të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre në shumë fusha, si organizimi i futbollit, menaxhimi strategjik dhe operativ, menaxhimi i vullnetarëve, sponsorizimet, PR, Marketing, eventet etj. Objektiv kryesor i CFM është rritja e kapaciteteve menaxheriale të stafeve të federatave dhe klubeve.

Në sesionin hapës të programit, që u zhvillua në Durrës, mori pjesë edhe anëtarja e Komitetit ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, e cila mbajti edhe një fjalë përshëndetëse. Ajo e vlerësoi programin UEFA CFM si një hap drejt të ardhmes. Znj. Basha tha se ky kurs është një eksperiencë shumë e mirë dhe u uroi suksese kursantëve dhe lektorëve.

“Jemi në një botë të re komunikimi mes asaj që kemi kaluar në të vjetrën dhe kësaj që po vjen. Tashmë ne e dimë që kemi nevojë për strategji dhe ide të reja, për mënyrën e re të komunikimit. Unë jam vetë gazetare dhe e kuptoj se sa shpejt kemi lëvizur ne në industrinë e medias. Edhe për futbollin është e njëjta gjë. Ne duhet të shikojmë pikturën e gjërë e të madhe, duhet të ruajmë vlerat tona që kemi pasur, pasionin, ‘fair – play’-in. Nga ana tjetër duhet të bëjmë edhe hapin tonë drejt së ardhmes. Kjo padyshim bëhet nëpërmjet ideve të reja, strategjive të reja, mënyrës së re se si duhet të komunikojmë dhe kam përshtypjen që ky kurs është i dizenjuar pikërisht për të sjellë këto novacione. Gjithashtu, mendoj që edhe lektorët që janë përzgjedhur nga UEFA, të cilët na kanë nderuar me prezencën e tyre, do të japin më shumë informacion për këtë. Ju do të keni mundësi të komunikoni dhe të flisni më hapur me njëri – tjetrin. Kjo do të jetë një eksperiencë shumë e mirë. Ju uroj suksese në këtë kurs dhe profesorëve punë të mbarë. Shumë fat edhe në vazhdim në sezonet e tjera” – tha anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha.

Programi i CFM (Certificate in Football Management) është krijuar nga Akademia UEFA dhe partneri i saj akademik, Shkolla Zvicerane e Administrimit Publik (IDHEAP) e Universitetit të Lozanës, dhe tani u ofrohet federatave anëtare të UEFA-s. Një besim dhe një përgjegjësi e madhe për FSHF-në, që vlerësohet për rritjen e vazhdueshme që ka pasur vitet e fundit në drejtim të menaxhimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: