Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka paraqitur dorëheqjen nga funksioni i tij, ndërsa paralelisht ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka nxjerrë një udhëzim lidhur me procedurat që do të ndiqen për përzgjedhjen e kreut të ri të Policisë. Dorëheqja e Rrumbullakut erdhi mbrëmjen e së enjtes, ndërsa ministri i Brendshëm ka thirrur sot një takim me drejtuesit e Policisë, përfshirë edhe drejtorët e qarqeve dhe drejtuesit e drejtorisë dhe agjensive në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Pas dorëheqjes së Rrumbullakut, drejtimin e Policisë së Shtetit deri në përzgjedhjen e drejtuesit të ri e ka marrë Sokol Bizhga, një oficer karriere në strukturat e policisë, i cili mban funksionin e zv.Drejtorit të Përgjithshëm.

Kandidatët që mund të konkurojnë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë duhet të plotësojnë disa kushte ku përfshihen: grada e rolit të mesëm drejtues, të ketë shtetësi shqiptare; të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë; të mos ketë marrë masat disiplinore brenda 5 vjetëve të fundit, të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse, si dhe të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.

Por si do të zgjidhet Drejtuesi më i lartë në strukturat e Policisë së Shtetit?

Në udhëzimin që mban firmën e ministrit të Brendshëm, thuhet se pas përfundimit të afatit 7 ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.

Brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore, të përcaktuara në nenin 4 të këtij udhëzimi.

Nëse është e nevojshme, Komisioni kërkon informacione të mëtejshme prej kandidatit, institucioneve publike, apo punëdhënësit të kandidatit.

Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.

Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët e përjashtuar, në mënyrë të posaçme dhe të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit.

Referuar udhëzimit, kandidatët që plotësojnë kriteret dhe kualifikohen për më tej, do të paraqiten në seanca dëgjimore para Komisionit.
Në përfundim të seancave dëgjimore, Komisioni vlerëson kandidatët bazuar në dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore, në përputhje me këtë udhëzim dhe i dorëzojnë ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim

Komisioni i Posaçëm
Komisioni i Posaçëm i vlerësimit të kandidatëve do të përbëhet nga:
a) Një nga zëvendësministrat, i caktuar nga Ministri i Brendshëm, kryetar;
b) Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, anëtar;
c) Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, anëtar.
Vendimet për kualifikimin ose skualifikimin e aplikantëve merren me shumicën e votave, ndërsa vendimet për vlerësimin e kandidatëve merren individualisht nga çdo anëtar i Komisionit, sipas rregullave të përcaktuara në këtë udhëzim.
Kandidati për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit paraqet dokumente që provojnë se plotëson kushtet e parashikuara në nenin 56, të ligjit për Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.

Kriteret
Kandidati dorëzon dokumente mbështetëse për secilin prej kushteve ligjore si më poshtë:
a) mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;
b) të ketë shtetësi shqiptare;
c) të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së
prerë;
ç) të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 5 (pesë) vjetëve të fundit;
d) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse .
dh) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.

Vlerësimi
1. Kandidatët që përmbushin kushtet e parashikuara në nenin 4, vlerësohen dhe renditen sipas kritereve në vijim:
a) aftësitë profesionale të kandidatit në fushën e rendit ose sigurisë, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 6 të këtij udhëzimi;
b) integriteti moral i kandidatit, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 7 të këtij udhëzimi;
c) aftësitë organizative dhe drejtuese, sipas parashikimeve të detajuara në nenin 8 të këtij udhëzimi;
ç) elementet plotësuese për vlerësim sipas parashikimeve të detajuara në nenin 9 të këtij udhëzimi.
2. Në rastet kur kandidatët kanë të njëjtën meritë, vlerësohet vjetërsia në ushtrimin e profesionit dhe përvoja profesionale.

Vlerësimi i aftësive profesionale të çdo kandidati bazohet në kriteret e mëposhtme:
a) kohëzgjatja dhe përshtatshmëria e përvojës në punë me pozicionin për të cilin konkurron;
b) rezultatet e vlerësimeve profesionale ose etike të kandidatëve në pozicionet e mëparshme, nëse ka, ose rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit ose sigurisë;
c) rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në kurse trajnimi të certifikuara në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë;
ç) rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;
d) punime akademike, studime shkencore, shkrime dhe ligjërata profesionale, botime, pjesëmarrje në aktivitete shkencore (përveç atyre që kanë shërbyer për fitimin e gradës shkencore), pjesëmarrje në procesin e hartimit ose të konsultimit të legjislacionit dhe çdo angazhim tjetër profesional i kandidatit gjatë 5 viteve të fundit në fushën e rendit ose sigurisë.
Vlerësimi i integritetit moral
1. Vlerësimi i çdo kandidati në lidhje me integritetin moral bazohet në kriteret e mëposhtme:
a) reputacioni që kandidati gëzon në shoqëri dhe te kolegët, si rezultat i aktivitetit të tij profesional bazuar në cilësitë morale si ndershmëria, përpikëria në kryerjen e detyrave, drejtësia në marrjen e vendimeve dhe llogaridhënia;
b) reputacioni që kandidati gëzon në shoqëri dhe te kolegët, si rezultat i aktiviteteve të kryera gjatë kohës që nuk ushtron funksionin e tij bazuar në cilësitë morale si besueshmëria, paanshmëria, dinjiteti, veprimtaritë sociale ose kulturore.
2. Vlerësimi për integritetin moral bëhet përmes dokumenteve të dorëzuara nga kandidatët, dokumenteve të mbledhura nga Komisioni, të dhënave nga seancat dëgjimore, raportimeve në media, të dhënave publike ose burimeve të tjera të besueshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb